Lajme

Caktohet ekspertizë financiare në gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të KRU “Prishtina” dhe pronarit të “KWE”

10/19/2022 12:36
nga:G B

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka caktuar ekzpertizë financiare në gjykimin për korrupsion ish-zyrtarëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina” dhe pronarit të kompanisë “Kosova Water & Energy” (KWE). Po ashtu, në këtë seancë, është administruar edhe një provë.

Në këtë rast ish-ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar në KRU “Prishtina” Remzi Llumnica së bashku me Selatin Retkocerin, ish-kryeshef ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina”, Sabri Maliqi, ish-menaxheri për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës në KRU “Prishtina” dhe Fidan Pacollin, pronar i kompanisë “Kosova Water & Energy”, po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Retkoceri, avokati Naser Gashi, tha se e konsideron të nevojshme të nxjerret prova me ekspert financiar për të llogaritur vlerën e transportit të paneleve të betonit nga selia e UNMIK-ut në Prishtinë deri në oborrin e KRU “Prishtina”.

Tutje, ai propozoi që vlera e transportit të llogaritet për njësi, ose për panel betoni dhe shumën e tërësishme të këtij transporti që me numër janë 748 njësi dhe atë si transport special, duke përfshirë koston e mjeteve të rënda të ngarkim-shkarkimit të dyfishtë dhe të transportit.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Pacolli, avokati Artan Çerkini, në lidhje me provën e ekspertizës të ekspertit Arben Shala e cila ishte dorëzuar më herët, tha se kanë synuar të vërtetojnë përparësitë që i kanë gjysmëlidhëset e plastikës në krahasim me ato që kanë qenë objekt i kontratës.

Po ashtu, ai tha se kjo provë ka për qëllim të dëshmojë se gjysmëlidhëset e liferuara kanë qenë të kualitetit më të lartë sesa ato të kontraktuara, e që sipas tij për shkak të cilësisë së tyre ka ndodhur diferenca në çmim.

Kështu, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Kushtrim Shyti, administroi si provë këtë të fundit dhe aprovoi kërkesën e avokatit Gashi për ekspertizë financiare.

Ndërsa, sa i përket caktimit të ekspertit dhe detyrave të tij, gjykatësi Shyti tha se do të nxjerret aktvendim i veçantë jashtë seance.

Krejt në fund, avokati Çerkini bëri edhe një propozim tjetër, ku kërkoi që për të akuzuarit Pacolli dhe Maliqi të veçohet procedura dhe të procedohet me fjalën përfundimtare, pasi që sipas tij procedura e provave për këta të dy është përfunduar.

I njëjti tha se pjesëmarrja e mëtutjeshme e tyre në këtë proces gjyqësor do t’iu shkaktonte shpenzime të panevojshme, e që sipas tij në instancë të fundit bie ndesh me parimin e ekonomizimit të procedurës penale.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja Dulina Hamiti, duke thënë që në këtë rast kemi të bëjmë me palë të dëmtuar të njëjtë deri në fund të shqyrtimit gjyqësor, e që i njëjti u refuzua nga trupi gjykues.

Ndryshe, paraprakisht në fillim të seancës i akuzuari Lumnica ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes duke iu përgjigjur disa pyetjeve nga kryetari i trupit gjykues.

Ndër të tjera, ai tha se përveç procedurës të prokurimit, e cila në atë kohë nuk ishte zhvilluar nga ish-kryeshefi Xhelosh Vata, të gjitha procedurat tjera për pagesë sipas tij kishin qenë tërësisht në rregull.

Në këto rrethana, kjo seancë është ndërprerë dhe e radhës është caktuar për 22 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës të ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 nëntor 2019, Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Retkoceri akuzohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina”, bashkë me të pandehurin Remzi Llumnica, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor financiar në këtë kompani, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të njëjtit duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që kompanisë “Cahani” SHPK, t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror.

Tutje, aktakuza thekson se i pandehuri Selatin Retkoceri kishte angazhuar jashtë procedurave të parapara me ligj kompaninë “Cahani” SHPK, për bartjen e 250 paneleve të betonit të dhuruara gratis nga UNMIK-u, në çmimin prej 9 mijë e 999 euro.

Ndërsa, Remzi Llumnica thuhet se kishte pranuar dhe proceduar për pagesë faturën në vlerë prej 9 mijë e 997 euro e 55 centë, e cila pastaj është kundërshtuar nga menaxheri i Departamentit të Kontabilitetit Thesar në KRU “Prishtina”.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit e lartcekur i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sabri Maliqi, në pozitën e menaxherit për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës në KRU “Prishtina”, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij në atë mënyrë që gjatë implementimit të kontratës, të lidhur në mes të KRU “Prishtina” dhe operatorit ekonomik “Kosova Water & Energy”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015 faturat në sasi të përgjithshme prej 1 mijë e 350 copë gjysmë lidhëse të plastikës në vend që të paguhen sipas kontratës 0.60 centë për copë, janë paguar me çmim të gjysmë lidhëse 3/4 të mesingut apo metalike me çmim 2.39 centë për copë, me ç‘rast i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik KWE rreth 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”.

I pandehuri Fidan Pacolli, në cilësinë e agjentit të shitjes dhe menaxher i depos në kompaninë KWE, gjatë implementimit të kontratës së lidhur në mes të kësaj kompanie dhe KRU “Prishtina”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015, i ka dorëzuar faturat për pagesë në këtë kompani, në atë shumë, me ç’rast i është bërë pagesa nga KRU “Prishtina”, duke i sjellë kështu kompanisë KWE, përfitim të kundërligjshëm në shumë prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”.