Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar së bashku me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do t’i vizitojnë Prishtinën më 31 janar.
Escobar dhe Lajçak do të zhvillojnë bisedime në Prishtinë më 31 janar dhe 1 shkurt, ndërsa më 2 shkurt do të bëjnë një vizitë zyrtare dy-ditore në Beograd.
Vetë Escobar së fundmi i tha Zërit të Amerikës se do të “udhëtojë së shpejti në rajon, së bashku me zotin Lajçak, për të sinjalizuar mbështetjen tonë për dialogun dhe për të treguar përkushtimin tonë për funksionimin e dialogut”.
“Është një dialog i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht. Dhe shpresoj se do të kemi përparim. Por duhet të them se në këtë drejtim, çështja e Serbisë dhe e Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe kolegët tanë në rajon”, tha Escobar.