Lajme

Cakolli: Shqetësuese përpjekja e Kryekuvendarit për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave

01/28/2026 20:42
nga:Sh R

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Cakolli shkroi se vendimi i sotëm nuk solli risi, por e qartësoi dhe thelloi logjikën e vendimit paraprak, duke rikonfirmuar të drejtën e propozimit nga komuniteti serb dhe limitet e vullnetit të shumicës shqiptare në këtë proces.

“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk solli diçka të re, por e thelloi dhe e qartësoi logjikën e vendimit paraprak. Aktgjykimi rikonfirmon se kush e propozon përfaqësuesin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit dhe deri ku shtrihet vullneti i shumicës shqiptare në zgjedhjen e tij.” – tha ai.

Megjithatë, ai e ka cilësuar si “shqetësues” reagimin e Kryetarit të Kuvendit lidhur me këtë çështje. Sipas Cakollit, Kryetari i Kuvendit gabimisht barazon moszgjedhjen e kandidatëve me mospropozimin e tyre, për të arsyetuar kalimin në procedurën e shortit. Cakolli alarmoi për tendencën e Kryetarit për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave, duke u thirrur në rolin e tij për interpretimin e Rregullores së Kuvendit gjatë seancave.