Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka thënë se projektligji për Byronë Shtetërore duhet të rishkruhet në pjesën më të madhe, sidomos në çështjet më esenciale, pasi ashtu rekomandon Komisioni i Venecias, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Qeveria duhet ta tërheq këtë Projektligj nga kuvendi Ministria e Drejtësisë t’i adresojë të gjitha rekomandimet e Venecias para se Kuvendit t’i dërgohet drafti i ri.
Postimi i tij i plotë:
Qeveria, përkatësisht ministritë, si sponsorizuese të projektligjeve kanë pronësi dhe janë përgjegjëse për përmbajtjen e tyre deri para miratimit final në Kuvend. Për këtë arsye edhe Rregullorja e Kuvendit parasheh mundësinë e tërheqjes së projektligjeve nga ana e Qeverisë deri para leximit të dytë.
Komisioni i Venecias ka dhënë aq rekomandime dhe vërejtje mbi projektligjin për Byronë Shtetërore, saqë praktikisht pjesa më e madhe e tij duhet të rishkruhet – sidomos për çështjet më esenciale.
Duke ditur që ekzekutivi ka shumëfish më shumë resurse dhe ekspertizë sesa Kuvendi, ka qenë e udhës që Qeveria ta tërheqë këtë projektligj, e Ministria e Drejtësisë t’i adresojë të gjitha rekomandimet e Venecias para se Kuvendit t’i dërgohet drafti i ri.
Ndryshe, Kuvendi edhe mund t’i adresojë vet rekomandimet e Venecias, por kësisoj Qeveria po lirohet nga përgjegjësia që ka për garantimin e përputhshmërisë së projektligjeve me standardet ndërkombëtare apo opinionet e Venecias, veçanërisht kur ato janë dhënë mbi akte të draftuara nga Qeveria.


