Lajme

Cakolli: Qeveria kalon në statusin e “Qeverisë në detyrë” veç atëherë kur deputetët e zgjedhur nga kabineti qeveritar japin dorëheqje

02/26/2025 14:05
nga:Genita C

Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se mandati i Qeverisë është i lidhur drejtpërdrejt me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, dhe jo me përfundimin e katër viteve nga konstituimi i Kuvendit, raporton GazetaBlic.

Ai shtoi se Qeveria aktuale ka të drejtë të ushtrojë kompetencat e saj deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.

Për të kaluar në statusin e “Qeverisë në detyrë”, anëtarët e kabinetit që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje.

E plotë:

Mandati i Qeverisë lidhet drejtpërdrejt me mandatin e Kuvendit, i cili përfundon me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, jo me përmbushjen e katër viteve nga konstituimi i Kuvendit (22 mars).

Prandaj, Qeveria aktuale ushtron të gjitha kompetencat e saj kushtetuese deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.

Anëtarët e kabinetit qeveritar që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve. Vetëm atëherë, Qeveria kalon në statusin e “Qeverisë në detyrë” – derisa të zgjidhet Qeveria e re.