Lajme

Cakolli për ndryshimin e orarit mësimor për shkak të Ramazanit: Vendimi gabuar, cenohet karakteri laik

02/19/2026 17:10
nga:Genita C

Eugen Cakolli, ka reaguar lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për ndryshimin e orarit mësimor në shkollat e kryeqytetit për shkak të muajit të Ramazanit, duke vlerësuar se vendimi në fjalë është ‘’gabuar’’.

Cakolli, në postimin e tij, ka theksuar edhe se, karakteri laik i institucioneve publike cenohet, kur një institucion i tillë e lidh vendimin e vet me një praktikë fetare.

‘‘Mirëkuptimi për nxënës që agjërojnë është normal. Por, ndryshimi i gjithë orarit “për shkak të Ramazanit” tregon orientim institucional sipas një reference fetare. E vendimet publike nuk duhet të mbështeten mbi referenca fetare, sepse kjo i jep politikës një terren të panevojshëm simbolik’’, ka shkruar ai.

Postimi:

Vendimi i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë për ta riorganizuar orarin e shkollave – duke e arsyetuar zyrtarisht me fillimin e muajit të Ramazanit – është i gabuar, sepse e vendos fenë si arsye formale të organizimit institucional dhe i largon shkollat publike nga baza pedagogjike.

Liria fetare është individuale dhe duhet respektuar si e tillë. Askush nuk e vë në diskutim agjërimin apo dinjitetin e besimtarëve. Por kur një institucion publik e lidh vendimin e vet me një praktikë fetare, karakteri laik i institucioneve publike fillon të cenohet.

Mirëkuptimi për nxënës që agjërojnë është normal. Por, ndryshimi i gjithë orarit “për shkak të Ramazanit” tregon orientim institucional sipas një reference fetare. E vendimet publike nuk duhet të mbështeten mbi referenca fetare, sepse kjo i jep politikës një terren të panevojshëm simbolik.

Kjo nuk është çështje anti-fetare, por e standardit institucional. Arsimi publik në Prishtinë ka nevojë për fokus te cilësia dhe rregulli i njëjtë për të gjithë, jo për vendime që i japin politikës hapësirë të “flirtojë” me elemente fetare nën petkun e ‘respektit’.