Lajme

Cakolli për dënimin e deputetes Jetmire Vrenezi: Përkundër dënimit, e njëjta do të mbajë mandatin, për sa kohë që vendimi nuk merr formën e prerë

05/17/2022 15:47
nga:Q R

Eugen Cakolli nga KDI, duke komentuar dënimin e deputetes së LVV-së Jetmire Vrenezi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka thënë se deputetët mund të humbasin mandatin e tyre vetëm kur të njëjtit dënohen me vendim të formës së prerë me burgim në kohëzgjatje prej një viti apo më shumë.

Cakolli në një prononcim për GazetaBlic, ka deklaruar se përkundër dënimit të deputetes Vrenezi, e njëjta do të vijojë të mbajë mandatin, për sa kohë që vendimi ndaj saj nuk merr formën e prerë.

“Sipas kornizës aktuale ligjore, deputetët mund të humbasin mandatin e tyre vetëm kur të njëjtit dënohen me vendim të formës së prerë me burgim në kohëzgjatje prej një viti apo më shumë. Në këtë rast, përkundër dënimit të deputetes Vrenezi me 3 vite burgim, e njëjta do të vijojë të mbajë mandatin, për sa kohë që vendimi ndaj saj nuk merr formën e prerë, pas konfirmimit në instancat tjera gjyqësore, respektivisht në Gjykatën e Apelit”, deklaron Cakolli.

Gjykata Themelore në Prizren, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të njëjtit i ka dënuar me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë.

Rasti “Abi Çarshia”, deputetja Vrenezi dhe ish-zyrtari i Komunës së Prizrenit dënohen me 6 vite burgim