Lajme

Cakolli: KQZ s’ka të drejtë t’i shpallë rezultatet pa u përmbyllur afati 48-orësh për ankesa

01/30/2026 22:20
nga:Sh R

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka të drejtë t’i shpallë rezultatet përfundimtare pa u konsumuar afati ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave lidhur me administrimin e procedurave të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas Cakollit, legjislacioni zgjedhor e njeh shprehimisht të drejtën e subjekteve politike dhe kandidatëve për të ankimuar çdo shkelje të supozuar gjatë procesit të numërimit në QNR, brenda 48 orëve nga momenti kur ndodh shkelja e pretenduar.

Ai ka theksuar se ankimimi i procedurave në QNR përbën çështje të ligjshmërisë procedurale dhe është i dallueshëm nga ankimimi që ka të bëjë me ligjshmërinë e rezultateve përfundimtare si të tilla.

“Nuk ka asnjë fazë të procesit zgjedhor – përfshirë edhe numërimin në QNR – që të jetë e përjashtuar nga kontrolli ligjor. Çdo veprim që e bën të pazbatueshme të drejtën për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj”, ka theksuar Cakolli.

Reagimi i tij vjen në kohën kur procesi zgjedhor po shkon drejt përmbylljes, mes debateve për ligjshmërinë e procedurave të numërimit dhe respektimin e afateve ligjore për ankesa.