Lajme

Cakolli i KDI-së tregon tre skenarët e mundshëm që mund ta përcjellin seancën e sotme konstituive

04/15/2025 08:53
nga:Sh R

Pas më shumë se dy muajsh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, sot me fillim nga ora 10:00, do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së nëntë.

Kështu shënohet edhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re.

Lidhur me seancën, Eugen Cakolli, nga KDI ka paraqitur tre skenarët e mundshëm që mund të ndodhin sot gjatë seancës, apo edhe seancat pasuese.

Skenari 1: Konstituimi i suksesshëm i Kuvendit

Sipas këtij skenari, pas hapjes së seancës, verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti më i madh parlamentar, propozon kandidatin për Kryetar të Kuvendit.

Nëse kandidatura merr së paku 61 vota – qoftë përmes një marrëveshjeje formale për koalicion apo përkrahjeje joformale nga opozita – atëherë procedohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.

Pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani do t’i dërgojë një letër zyrtare LVV-së për të kërkuar propozimin për mandatarin e Qeverisë. Pasi LVV të përgjigjet me emrin e kandidatit (që pritet të jetë Albin Kurti), Presidentja nxjerr dekretin për nominimin e tij. Mandatari do të ketë afat 15 ditë për të propozuar Qeverinë dhe për të siguruar shumicën parlamentare.

Skenari 2: Pezullimi i seancës për shkak të mungesës së propozimit

Nëse pas hapave të parë, LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta pezullojë seancën.

Sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që do të nënkuptonte mbajtjen e seancave të reja çdo dy ditë. Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, atëherë mund të krijohet një cikël seancash të papërfunduara. Ky ngërç mund të shfrytëzohet nga partitë opozitare, të cilat mund të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se partia fituese po zvarrit procesin e formimit të institucioneve.

Skenari 3: Bllokim që në hapin e parë

Në këtë skenar, duke qenë se LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata mund të bllokohet që në fillim të seancës.

Disa deputetë të LVV-së dhe përfaqësues të pakicave, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë, nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ndonëse këtë e kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë.

Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të kryhet betimi i deputetëve dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera.

Ky skenar paraqet një bllokim procedural me bazë juridike, i cili vendos presion mbi anëtarët e kabinetit që të japin dorëheqje, në mënyrë që të mundësohet konstituimi.

Megjithatë, edhe ky skenar nuk është në favor të opozitës, pasi nuk nisin afatet ligjore për formimin e institucioneve nga partia fituese.