Lajme

Cakolli: Gjykata të sqarojë pasojat e moskonstituimit të Kuvendit – Gjasat janë reale që kriza të vazhdojë, mungon vullneti politik

10/01/2025 14:11
nga:Sh R

Eugen Cakolli, nga KDI, në një intervistë për GazetaBlic, ka reaguar pas njofitimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një Nënkryetari të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, raporton GazetaBlic.

Cakolli thotë se do ishte jorealiste të pritej që Gjykata do të konstatonte se Kuvendi ishte konstituar, përderisa ka vendime të mëparshme që theksojnë qartë nevojën për zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve dhe jo vetëm të shumicës së tyre.

“Njoftimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, unë tashmë besoj se ka rikonfirmuar standartet tashmë të ditura Kushtetuese. Ka qenë krejtësisht jorealiste të pritej që Gjykata do të mund të konstatonte që Kuvendi është konstituar, përderisa ka disa aktgjykime ku theksohet se duhet të zgjedhen të gjithë nënkryetarët, e jo vetëm shumicën e tyre”, tha ai.

Duke komentuar vendimin e fundit të Gjykatës për dhënien e një afati shtesë 12-ditor për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit, Cakolli thekson se kjo është një qasje e re nga ana e Gjykatës, e cila më herët në dy raste kishte dhënë afate të reja 30-ditore.

“Dhënia e afatit të mbetur 12 ditorë, tashmë tregon se Gjykata Kushtetuese nuk do të ripërsërisë afatin 30 ditorë sic ka bërë në 2 rastet e kaluara. Por që nga momenti i hyrjes në fuqi ndonse mbetet të shihet çështja e procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit, a do të jetë sërish në pako apo do të përsëritet vetëm për nënkryetarin serb, unë besoj që do të jetë përcaktuese për shkak se deputetët do ta kenë një lloj ngutie për ta përmbyllur procesin këtij afati 12 ditor”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai shton se është tejet me rëndësi që Gjykata Kushtetuese të trajtojë edhe pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit.

“Është tejet me rëndësi që Gjykata të trajtojë edhe çështjen e pasojës juridike të mos konstituimit të Kuvendit, për shkak se nëse afati 12 ditor skadon, nuk do të ishte e rrugës që të pritet sërish që edhe një lënd të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e të merret përgjigje se si të veprohet tutje. Unë besoj që Gjykata duhet ta trajtoj kërkesën e dërguar dhe të tërhequr tashmë nga presidentja, në mënyrë që ti jap kahje procedurës dhe që unë besoj që nëse do të përmenden zgjedhjet si opsion nga Gjykata, kjo do ta definoj një herë e qartë pamundësinë që palët do ta kenë për ta bllokuar procedurën sic është bërë në fakt përgjatë muajve të fundit”, vlerësoi ai.

Por sipas tij zgjidhja e vetme e logjikshme në një situatë të tillë është shkuraja në zgjedhje të parakohshme.

“Unë besoj që zgjidhja e vetme e logjikshme në një situtatë të tillë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme, unë mendoj se çështja është vetëm si të gjendet mekanizmi për ta vënë në funksion shpalljen e zgjedhjeve të jashëzakonshme, sepse në njërën anë Kuvendi nuk mund të shpërndahet për shkak se i njejti nuk është konstituar fare dhe në anën tjetër do duhej që Gjykata t’ia njoh diskrecionin presidentës për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme apo thjeshtë të konstatoj që dështimi për ta konstituar Kuvendin brenda një afati 30 ditorë e dërgon automatikisht vendin në zgjedhje të parakohshme paralamentare”, theksoi ai.

Cakolli parashikon që aktgjykimi i plotë i Gjykatës mund të marrë një ose dy javë për t’u publikuar.

Gjatë kësaj kohe, nuk priten seanca të Kuvendit, por ai beson se publikimi i vendimit do të japë sinjale të qarta për partitë që të arrijnë një marrëveshje, qoftë për zgjedhjen e nënkryetarit dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit, apo për përmbylljen e konstituimit në tërësi.

“Meqenëse Gjykatës iu deshën 25 ditë për ta publikuar një njoftim, unë nuk pres që Gjykata brenda një periudhe shumë të shkurtë kohore të dal me një aktgjykim të plotë, unë në fakt besoj që kjo mund të marrë të paktën një apo dy javë, dhe gjatë kësaj periudhe normalisht nuk do të ketë seanca por që nga momenti i publikimit unë tashmë besoj se ka indikacione që partitë do të mund të merren vesh, qoftë për ta zgjedhur një nënkrytar edhe pastaj për ta shpërndarë kuvendin apo mbase edhe për ta konstituar Kuvendin në kuptimin e plotë të fjalës”, tha ai.

Ndër të tjera ai shton se gjasat janë reale që kriza edhe mund të vazhdoj, sepse sipas tij kemi të bëjmë me mungës të vullnetit politik për ta konstituuar Kuvendin.

“Gjasat janë reale që kriza edhe mund të vazhdoj, për shkak se të gjitha ato që i kemi parë deri më tani kanë qenë më shumë sajesa sesa probleme kushtetuese. Kemi pasur të bëjmë me mungesë të vullnetit politik për ta konstituar Kuvendin e që pastaj thjeshtë janë gjetur modalitete herë çështja e mandatit, kryetarit tash nënkryetarit, pastaj mund ta kemi çështjen se si të procedohet tutje në rast se nuk zgjedhet brenda afatit 12 ditor”, përfundoi Cakolli për GazetaBlic.