Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI ka reaguar lidhur me rinumërimin e votave dhe ndryshimin e tyre për kandidatë të caktuar, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka pyetur pse Prokuroria nuk po i nisë hetimet pasi pas rinumërimit ka pasur ndryshime në votat për kandidatët për deputetë.
Ai ka thënë se emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit dihen.
Postimi i tij i plotë:
Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale?!
Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në QKN dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në veti nga komisionerët. Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor.
Prandaj, përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme. Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata.


