Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës të udhëhequra nga një numër i madh i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit janë duke realizuar një aksion të madh në disa qytete të Kosovës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.
Betimi për Drejtësi duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha.
Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve.
Burime të afërta me hetimet i kanë thënë “Betimit për Drejtësi” se vlera e dëmit arrin shumën mbi 1 milion euro.
Cak i këtij aksioni nga Prokuroria Themelore në Prizren janë mbi 40 persona.
Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.


