Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Albana Bytyqi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit që ndodhën në veri të vendit ku një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe humbi jetën polici, Afrim Bunjaku.
Bytyqi tha se situata momentalisht është e vështirë por se dialogu nuk duhet të ndalet.
Deputetja e AAk-së tha se është jetik bashkërendimi me aleatët.
“Dialogu nuk duhet të ndalet, ne duhet të veprojmë me qetësi e maturi si shtet, por duhet të dimë se cilët janë hapat e radhës sa i përket dialogut pasi pas ngjarjes së fundit në veri ku patëm një sulm terrorist nga kriminelët serbë dhe mbeti i vrarë një polic i yni në krye të detyrës, situata është bërë edhe më e vështirë. Ne patjetër, e kemi jetike bashkërendimin me aleatët tanë, të bisedojmë me ta, që ta kemi edhe më të lehtë se si të vazhdojmë tutje sidomos në çështjen e dialogut” tha Bytyqi për “Gazeta Blic”.

Albana Bytyqi, AAK
Me 24 shtator në Banjskë të Zveçanit humbi jetën nga terroristët serbë, polici nga Vushtrria Afrim Bunjaku, raporton Gazeta Blic.
Vrasja e policit Bunjaku u pasua me një sulm të armatosur nga terroristët serb ku në përballje me Policinë e Kosovës mbetën të vdekur tre prej tyre.
Pas sulmit në Banjskë pati një reagim të fortë të Bashkësisë Ndërkombëtare.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeff Hovenier deklaroi në Politico se e dinë se “sulmi ka qenë i koordinuar dhe i sofistikuar”
“Ne e dimë se ishte e koordinuar dhe e sofistikuar.Sasia e armëve sugjeron se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon”, ka deklaruar ai.
/Gazeta Blic/
Hovenier: ShBA duhet të përcaktojë nëse Serbia ishte përgjegjëse për sulmin në veri
Arifi: Kosova duhet ta vazhdojë dialogun, por jo me Serbinë!


