Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.
Kundër votuan deputetët e opozitës, derisa kryetrari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka abstenuar.
Arsye për këtë ai tha se është mos përfshirja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në këtë projektligj, të cilin ai vetë e kishte dërguar në këtë komision, por që tha se shpreson që komisioni që po merret me këtë projektligj t’i marrë parasysh rekomandimet dhe t’i fus ato në të.
Opozita ka thënë se nëse projektligji miratohet, do ta dërgojnë në Kushtetuese, pasi ai është kundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Kundër këtij projektligji në këtë version, pa rekomandimet e Venecias është shprehur edhe shoqëria civile.
Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, si paradoksin më të madh të këtij projektligji e sheh faktin që ai është dërguar për opinion në Komisionin e Venecias nga një institucion tjetër dhe jo ai që e ka formuar atë.
“Duhet theksuar se është dashur të jetë qeveria ajo që kërkon opinion nga komisioni i Venecias për një projektligj kaq të rëndësishëm siç është për Byronë Shtetërore, e që ka çështje të ndjeshme, siç është atë të konfiskimit të pasurisë. Deri më tani nuk ka asnjë rast në Kosovë por ka fare pak, mbase edhe një rast i vetëm në kuadër të shteteve që mund të kërkojnë opinion nga Venecia, që një institucion kërkon opinion për një projektligj të draftuar për një institucion tjetër, pra ky është paradoksi i parë me të cilin është ballafaquar tërë procesi i këtij projektligji dhe procedurave për konfiskim civil”, thotë Cakolli për Gazeta Blic.
Sipas tij, iniciativa e Konjufcës ka prodhuar pak rezultat por që thekson se Kuvendi nuk e ka ekspertizën e mjaftueshme ligjore e as resurset e nevojshme për t’u marrë me këtë projektligj.

“Në këtë drejtim, iniciativa e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, e ardhur si e tillë nuk është se ka prodhuar diçka si rezultat, pra sërish projektligji në të cilin komisioni i Venecias ka evidentuar shumë mangësi e për të cilin ka ofruar shumë rekomandime e komente, do të duhej që të trajtohet në kuadër të Kuvendit, mirëpo problemi qëndron në faktin që Kuvendi nuk e ka as ekspertizën e mjaftueshme ligjore, përkatësisht deputetët që janë pjesë e komisioneve përkatëse, mirëpo nuk i ka as resurset e nevojshme për ta shqyrtuar në masën e nevojshme, për të adresuar të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias”, potencon ai.
Andaj, Cakolli thotë se kanë kërkuar që ky projektligj të tërhiqet e madje thekson se ai nuk do të duhej të kalonte as në lexim të parë, pasi nuk i përmbushë as standardet minimale për të drejtat e njeriut.
“Për këtë arsye, ne si shoqëri civile kemi vlerësuar që është e domosdoshme që qeveria ta tërheq këtë projektligj dhe në fakt nuk ish dashur të votohet as në parim, sepse vota e deputetëve pro i këtij projektligji edhe në parim, nënkupton që deputetët janë pajtuar që në parim të kemi një projektligj që nuk përmbushë as standardet minimale për të drejtat e njeriut”, vlerëson Eugen Cakolli nga KDI.
Por, çfarë nëse projektligji kalon në lexim të dytë në Kuvend?
Sipas tij, ai është i papranueshëm dhe me këtë duhet të merren partitë politike duke e kërkuar në Kushtetuese dhe Avokati i Popullit. Ai përmend edhe mënyrën e zgjedhjet së drejtorit të kësaj Byroje dhe ndikimin e partisë në pushtet tek ai.
“Çfarëdo versioni i projektligjit i cili miratohet në kuvend e i cili nuk adreson secilën prej rekomandimeve të komisionit të Venecias, pra pa përjashtuar asnjërën prej tyre, është një ligj absolutisht i papranueshëm dhe si të tillë do të duhej që të ndiqeshin të gjithë mekanizmat, në radhë të parë subjektet politike do të duhej ta dërgonin në gjykatën kushtetuese, mirëpo edhe nëse të njëjtat nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë përmes mekanizmit të Avokatit të Popullit do të duhej që ky projektligj të kontestohej mbi bazën e asaj që shkelen të drejtat themelore të njeriut, ose të paktën ky projektligj nuk ka mekanizma garantues, le të themi që nuk do të shfrytëzohet për qëllime politike nga partia në pushtet, veçanërisht duke ditur se si është provuar të bëhet zgjedhje e drejtorit të kësaj Byroje, i cili do të jetë de fakto një lloj përndjekësi politik, i cili do të veprojë mbi bazën e urdhrave partiake”, deklaron Cakolli.
Ai për Gazeta Blic shton se fillimisht projektligji nuk duhet të dekretohet nga Presidentja edhe nëse e miraton Kuvendi.
Më pas, ai thotë se partitë mund ta dërgojnë në Kushtetuese, e cila sipas tij duhet ta shpall antikushtetuese.
Cakolli po ashtu thekson se sipas opinionit të Komisionit të Venecias, projektligji mund të mos formohet fare por vetëm të aktivizohen mekanizmat aktual.
“Në radhë të parë do të duhej që presidentja si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, të mos e dekretojë këtë projektligj, edhe nëse i njëjti miratohet si i tillë nga Kuvendi dhe pastaj vijnë partitë politike që duke shfrytëzuar afatin ligjor prej 8 ditësh, do të duhej që ta dërgonin atë në Kushtetuese dhe jam i bindur që Gjykata Kushtetuese, duke u bazuar në praktikën evropiane, do të duhej ta rrëzonte këtë projektligj dhe jo vetëm të shfuqizojë pjesë të caktuara të tij mirëpo ta shfuqizojë atë në tërësi, duke e shpallur si antikushtetues dhe si rrezik i të drejtave bazike të qytetarëve. Për shkak se komentet e Venecias nuk duhet kuptuar vetëm si këshilla, pasi Venecia në asnjë rast nuk është se ka kërkuar nga ndonjë vend që të mos miratojë ndonjë projektligj. Komisioni i Venecias me rekomandimet që jep, në fakt ofron vlerësim se a duhet të ketë projektligj të tillë apo jo. Nëse lexohet në këtë frymë opinioni i Venecias, ka mjaftueshëm dhe pika dhe çështje të tjera në kuadër të tij, ku potencohet që mbase edhe mund të mos ketë fare mekanizma të tillë por vetëm fuqizim të atyre aktual”, përfundon Eugen Cakolli nga KDI./Gazeta Blic/


