Skuadra e Malishevës ka marrë një fitore shumë të madhe në shtëpi ndaj rivalit direkt në luftën për mbijetesë në Superligën e Kosovës në futboll, Trepçës 89′.
Malisheva fitoi ndaj Trepçës 89′ me rezultatin 1-0, për të marrë tri pikë tejet të vlefshme, shkruan GazetaBlic Sport.
Pas ndeshjes, trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli theksoi se kjo fitore e dërgon skuadrën tek siguria.
“Ndeshje e vështirë, nuk filluam mirë, shfrytëzuam gabimet dhe shënuam. Kishte shumë presion, më të merituarit për këtë rezultat janë futbollistët që u munduan shumë. Morali tek futbollistët do rritet pas tri fitoreve radhazi, kjo fitore na çon drejt sigurisë. Futbollistët e dinë se asgjë nuk ka përfundu”, tha Sokoli për Art Sport.
Malisheva me këtë fitore shkon në kuotën e 39 pikëve në pozitën e shtatë, kurse Trepça 89′ mbetet në vendin e tetë me 34 pikë, po aq sa Ferizaj i vendit të nëntë.
/GazetaBlic Sport


