Historiani Jusuf Buxhovi, duke folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbia tha se çështja e njohjes duhet të jetë qëllim por jo çdo gjë domosdoshmërisht duhet të përfundojë me njohje.
Ai ka hedhur kritika në drejtim të partive opozitare që po e kundërshtojnë Kurtin në këto momente.
Buxhovi tha se të njëjtit duhet të heshtin pasi e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.
“Sa i përket njohjes unë jam pak më fleksibil, ajo është sforcu është thënë, ajo duhet të jetë qëllim, por jo çdo gjë domosdoshmërisht duhet të përfundojë me njohje. Do të ishte një ‘karrem’ po qe se politika e Kosovës vazhdimisht do të mbetej tek ai pozicionim. Duhet të shkojmë, të hapim çështje dhe njohja mund të jetë në fund, por jo domososhmërisht do të jetë. Edhe Vuçiqi e tha dje tha se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, është shumë reale ajo, edhe Izraeli nuk njihet nga shumë shtete të botës por kjo nuk e pengon të funksionojë si shtet. Edhe kjo nuk duhet të na pengojë që në raport me Serbinë por edhe me rajonin të forcojmë pozicionin tonë si shtet. Nëse ne do të jemi shtet i të drejtës, i ligjit, shtet pa korrupsion, shtet pa abuzime dhe të gjitha ato shkelje që janë bërë gjatë këtyre viteve, politika jonë ka qenë shumë e papërgjegjshme, dhe akterët që kanë qenë pjesë e kësaj politike po i dëgjoj të kritikojnë Kurtin që po i lëshon pozicionet . Kurti nuk ka kurrfarë pozicioni në këtë aspekt sepse ende ska fillu. Kujtojmë sespe opozita dhe të gjithë ata që e kanë pru Kosovën në këtë gjendje ose duhet të heshtin ose duhet të largohen prej politikës. Ata nuk kanë kurrfarë të drejte as morale dhe as politike që të japin këso deklarata dhe të kundërshtojnë”
Ai tutje tha se partitë opozitare, duhet të reformohen.
Ai tha se në këto momente ajo që po jep shenja të një partie normale është vetëm LDK-ja.
“Ata duhet të dalin me një projekt, nëse kanë, por po shihet që s’kanë, përveç LDK-së që ka dhanë shenja që mund të kthehet në një parti normale çfarë i takon sepse është një parti historike, këto dy partitë tjera nuk janë as opozitare, ato janë më shumë parti private, despotike, feude sepse kanë probleme shumë të madhe me veten. Ato vetëm nëse reformohen atëherë mund të jenë pjesë e dialogut, kështu si po sillen vetëm sa mund t’i bëjnë dëm Albin Kurtit. Këto parti e kanë humbur kredibilitetin moral dhe politik që së paku të kritikojnë me këtë diskursin që i dëgjova dje, nuk kanë kurrfarë të drejte morale. Ata kanë hyrë në marrëveshje të fshehta dhe gjysmë të fshehta me Serbinë, ata faktikisht i kanë hapur derën pazarit të shtetit i cili ndërkombëtarisht ka qenë i pranuar në GjND të tjera dhe nuk kanë patur kurrfarë arsyeje që atë pozicion ta lëshojnë. Prej trajtimit të pakicave serbe që të integrohen në Kosovë, po ashtu Veriu që është në dorë të formacioneve paramilitare dhe gjysmë-kriminale, të largohet nga ai pozicion dhe t’i afrohet institucionalizimit. Shumë prej oponentëve të këtyre partive kanë bashkëpunuar me ato struktura atje, kanë ndarë haraqe, ka shumë informacione. Këto parti së pari duhet të shikojnë pozicionet e tyre”tha Buxhovi në “Intervistën e Javës “ në Gazeta Blic.