Lajme

Buxheti u miratua muajin e kaluar, Totaj: Komunat ende s’e kanë në dispozicion për shfrytëzim

03/12/2026 11:32
nga:Genita C

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se komunat ende nuk e kanë në dispozicion buxhetin për shfrytëzim që u miratua muajin e kaluar.

“Përkundër faktit se buxheti i vitit 2026 është aprovuar nga qeveria dhe dekretuar nga presidenca, edhe pse jemi në mes të muajit mars, komunat akoma nuk e kanë në dispozicion për shfrytëzim”, ka thënë Totaj.

Totaj gjithashtu tha se dyshohet se Ministria e Financave “i ka të ndara në pritje për ekzekutim të pagesave përmbarimore nga buxheti i komunave një vlerë të përafërt rreth 100 milion euro”.

Ai tha se kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e ministrisë do të ketë për pasojë çrregullimin e funksionimit të buxheteve komunale.

Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në shkurt Ligjin për buxhetin shtetëror në vlerë rreth 4 miliardë euro për vitin 2026.