Opinion

BUXHETI PUBLIK LARG NEVOJAVE REALE TË QYTETARËVE

06/14/2022 15:32
nga:Diana Metushi Krasniqi

Shkruan: Diana Metushi Krasniqi

Buxheti i qeverisë është një dokument i përgatitur nga qeveria që tregon të ardhurat e pritshme të qeverisë si tatimin mbi të ardhurat, taksat e korporatave, taksat e importit, tatimi mbi vlerën e shtuar, taksat rrugore, akcizat, etj. si dhe shpenzimet e parashikuara të qeverisë si në sektorin e mbrojtjes, kujdesit shëndetësor, arsim, rrugë, si dhe përfitime të tjera të shtetit për vitin e ardhshëm fiskal.

Çdo parti politike që formon qeverinë ka përgjegjësi të caktuara sociale, politike dhe ekonomike. Në vendet me diversitet të dukshëm shoqëror, kulturor, dhe ekonomik, është jashtëzakonisht e rëndësishme që qeveria të ndajë burimet me mençuri.

Faktorë të ndryshëm si ngritja e shtresave të paprivilegjuara të shoqërisë, lehtësimi i përfshirjes financiare, përmirësimi i aftësive mbrojtëse, sigurimi i objekteve të duhura arsimore dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga objektivat e tilla. Pra, buxheti qeveritar është vetëm një plan se si paraja e tatim-paguesit t’i kthehet atij me përfitimet sa më të mëdha.

Ky buxhet shpenzohet përmes pesë kategorive kryesore si paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transfere, si dhe investime kapitale.
Në këtë proces, investimet kapitale luajnë një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe përbëjnë një komponent dinamik efektiv të të ardhurave kombëtare. Përmasat dhe shpërndarja e tyre tregojnë rritjen apo tkurrjen e zhvillimit ekonomik dhe lidhjen me akumulimin e kapitalit, stokun, punësimin dhe të ardhurat e shtetit. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve realizohen përmes prokurimit publik, përderisa mekanizma të tjerë janë edhe investimet strategjike, partneritetet publiko private e koncesionet.

Megjithatë, për herë të parë, në vitin 2021, vetëm afër 18% e buxhetit publik ishin shpenzuar përmes prokurimit publik, një ulje prej rreth 22% në krahasim me mesataren e viteve paraprake, duke bërë kështu që pjesëmarrja e prokurimit publik në Bruto Produktin Vendor të bie nga 7.5% në vitin 2020, e që ishte një vit pandemik, në 5.56% në vitin 2021. Kjo ulje i atribuohet mungesës së iniciativave të qeverisë për rritjen e investimeve, si dhe mungesës së bordit të OSHP-së, e që respektivisht mungesa e zgjedhjes së bordit ka bërë që të mbesin të bllokuara rreth 200 milion euro nga futja e qarkullimit në ekonominë vendore.

Në vazhdim, buxheti i Republikës së Kosovës është i ndarë ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Dhe, përderisa e para ka objektivë kryesore përmbushjen e strategjive kombëtare dhe harmonizimin e përfitimeve publike ndërmjet rajoneve, objektivi kryesor i buxheti komunal është të përmirësoj mirëqenien e qytetarëve të tyre me qëllim plotësimin e nevojave zhvillimore së bashku me nevojat e qytetarëve.

Përderisa Indeksi i Transparencës në qeverisjen lokale për 38 komunat e Kosovës, tregon se në vitin 2021 mbi 90% të komunave i publikojnë buxhetet e tyre në ueb faqe, dhe 25 komuna i publikojnë ato për konsultim me publikun, hulumtimi i KDI-së mbi procesin e zhvillimit të buxheteve komunale tregon se pjesëmarrja e publikut në këtë proces thelbësor qeverisës, vazhdon të mbetet tejet e ulët me nën 0.3% të popullatës, e që vë në dyshim alokimin e drejtë të financimit kundrejt nevojave reale të qytetarëve.

Për më shumë, po e njëjta analizë tregon se prioritetet e qytetarëve vazhdojnë të jenë të drejtuara drejt investimeve kapitale e që, në aspektin e kapaciteteve financiare, përmbushja e shumicës prej tyre mbeten të papërballueshme nga qeverisjet lokale dhe rrjedhimisht ndikon në uljen e besimit të qytetarëve në udhëheqësit komunal.

Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen qeveritare konsiderohet pjesë e përkufizimit të demokracisë dhe ndihmon komunat në marrjen e vendimeve më të mira. Prandaj, me qëllim të një planifikimi sa më të përafërt me nevojat e qytetarëve, komuna duhet të përfshijë dhe promovojë komunikim efektiv me palët e interesuara siç janë qytetarët, bizneset lokale, rrjetet aktiviste të rinisë, sportit, kulturës, mbrojtës të së drejtave të njeriut, barazisë gjinore, etj.

Me qëllim të racionalizimit të shpenzimeve publike, me këtë rast KDI u rekomandon të gjitha komunave, dhe akterëve relevant nga qeverisja qendrore, që të krijojnë mekanizma adekuat për përfshirjen e qytetarëve dhe përafrimin e nevojave të tyre gjatë hartimit të buxhetit. Buxhetimi me pjesëmarrje është një nga mekanizmat e tillë, që ka treguar sukses jo vetëm në nivelin global, por edhe në shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë përballur me probleme të njëjta.

(Autorja është Hulumtuese në KDI)