Lajme

Buxheti për vitin 2022, Zemaj dërgon në Kuvend dy amandamente

12/04/2021 17:11
nga:M K

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka dorëzuar dy amendamente në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës për buxhetin e vitit 2022.

Zemaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se njëri amendament ka të bëjë me financimin e qëndrueshëm të specializantëve të lëmisë së mjekësisë, kurse tjetri për fëmijët pacientë me fibrozë cistike.

“Dje, kam dorëzuar dy amandamente të nevojshme në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarjet buxhetore për vitin 2022.

Amandamenti i parë ka të bëj me financimin e qëndrueshëm të specializantëve të lëmisë së mjeksisë, stomatologjisë dhe psikologjisë klinike, me qëllim të garantimit të cilësisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kuadrove dhe shërbimeve shëndetësore në vend.

Ndërsa, amandameti i dytë i dedikohet fëmijëve pacientë me Fibrozë Cistike, për ndarjen e buxhetit për sigurimin e medikamenteve të domosdoshme për trajtimin e tyre.

Uroj që anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa si dhe deputetët e Paralmentit të Kosovës t’i përkrahin këto dy amandamente të arsyeshme”, ka shkruar Zemaj.