Lajme

Burrë e grua në UÇK – Xhyhere Maqkaj tregon se si burri i ra dëshmor, e ajo qëndroi si heroinë

03/08/2025 10:29
nga:Sh R

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Xhyhere Maqkaj, ka rrëfyer sot në emisionin “Weekend”, sakrificat e saj dhe humbjet në luftën e fundit në Kosovë.

Ajo tregon se si ajo dhe burri i saj iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ani pse kishin tre fëmijë, por që vdekjes nuk iu trembën, e lirinë e deshën, transmeton Klankosova.tv.

“Si gjithë shqiptarët, ishte koha për t’iu bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në atë kohë kur ishim të dëbuar prej vendit tonë, ne ishim në Shqipëri, bashkëshortin e kam pasur në Itali. Ai vendosi me ardh prej atje për me u bë ushtar, pak a shumë ai ka qenë i ndjekur nga policia, sepse ka punuar me shokë të tij. Ne kemi tre fëmijë. Nuk e di ndjenjën kur jam nënshkruar në shtabin e Shqipërisë, por e di që kam thënë edhe unë jam shqiptare”, u shpreh ajo.

Ajo tregon edhe për fjalët që burri i saj ia tha atë ditë.

“Ai më tha se nuk kam ardhur për fëmijët e mi, por kam ardhur për krejt fëmijët e Kosovës, që nesër do ta kenë lirinë. Kur më tha kështu, u ndala dhe nuk dija çka mi thanë. Më tha që nuk ke frikë, ajde, për mua është gëzim i dyfishtë. Kemi marr rrugën atë ditë. Ai pyeti babin tim se vajzën dua të ta marr në front, baba lëshoi një ofshamë të madhe, i tha se ‘nëse do ishte e pamartuar, hallall ia kisha bo lirisë së Kosovës, por është nënë, e nëse vriteni të dy, fëmjiët tuaj s’ma bëjnë hallall’. Ishte fjalë e rëndë, por në atë kohë kur situata ishte edhe më e rëndë, fjala nuk na u duk asgjë. Mua më dukej si me shku në dasmë.

Maqkaj thotë se shumë e kundërshtuan këtë vendim të tyre, duke mos dashur t’i lejojnë të nisen bashkë për në luftë.

E lajmin për vdekjen e burrit të saj, Selverit, Xhyherja e mori vesh nga babai i saj.

“Kur hyri në mes vjehrrave, tha ‘o mik po shkojmë në Kukës, se Selverin e kanë plagosur. Zoti më ka mbajtur me forcë, e i kam thanë babës ‘jo ai është i vdekur’. Isha e sigurt se ka vdekur”, tha ajo.

Ajo thotë se vjehrrit e saj i qëndruan shumë pranë, pas vdekjes së Selverit, ani pse ata humbën të birin.

“Kur më thanë të rri vetëm me kufomën, nuk pranova. Prindërit e tij e kishin Selverin pas 12 vjetësh, e duke e parë nënën e tij duke ia puthur plagët, nuk mundja t’i them dil ti e të rri unë pesë minuta vetëm me të”, tha ajo tutje.