Shkruan: Arianit Koci
1.
I rritur në familje dhjetëanëtarëshe me babë në mërgim 43 vite, Haxhi Syla kurrë nuk e ka menduar se do ta leshojë Kosovën.
E ka provuar “në lëkurë të vet” mërgimin.
Mërgimin në formën më të egër: me babë që e takon në rastin më të mirë dy herë në vit.
2
Nuk e lenë pa e përmend sakrificën e dy prindërve: i kanë rritur tetë fëmijë si drita. Me shumë mund e peripeti.
Njëri në Lubjanë e tjetri në rrethin e Prishtinës.
3.
Jeta e ka sfiduar shumë, por më e madhja ka qenë vdekja e babait.
Jeton me dhimbjen dhe kujtimin e tij: e ka mbajtur familjen dhjetë anëtarëshe, me dy duart e veta.
Punë e rëndë, me nder dhe dinjitet!
4.
Vetëm disa ditë pasi del në pension, babain ia shkel vetura në Lubjanë.
Në gjendje kome një vit, pas kësaj mynxyre, plaku zgjohet një kohë të shkurtër.
Gëzim dhe shpresë në familje.
5.
“Posa të bëhet më mirë babai, nuk do të ndahemi më kurrë. Do t’i kompensojmë ditët sa ka qenë në mërgim” – i premton vetës djali, Haxhiu.
Kryeplaku e ka merituar pensionin dhe jetën e qetë në mesin e familjes, pas punës së lodhshme mbi katërdhjetë vjeçare larg Kosovës.
Katër herë është shpallur punëtori i vitit në fabrikën Saturnus, në Slloveni.
Nuk e gëzon pensionimin! Vdes në spitalin e Lubjanës.
“Asnjë ilaq nuk e shëron, atë që nuk mundet ta shëroj lumturia” – ka thënë shkrimtari Gabriel Garsia Màrquez.
E për Haxhinë, lumturia është shuar me vdekjen e kryefamiljarit.
6.
Me fakultet juridik dhe studime postdiplomike, nuk ka gjetur punë adekuate. I kanë bërë hile.
Ka pasur ambicie dhe kapacitet intelektual që të shkoj edhe me tutje me shkollim.
Për shkak rrethanave familjare, nuk e ka dashur mërgimin.
Tre vëllëzer dhe dy motra i ka jashtë.
7.
Pas masterit, fillon të punojë në njërin prej zinxhirëve të vetëshërbimeve, në lagjen time.
Punëtor, i sjellshëm dhe dijshëm, shumë shpejt bëhet njëri prej udhëheqësve.
Ka punuar jashtë orarit, për festa – në arkë, dhe ka bartë e paluar mall.
Shpesh edhe ka pastruar, krahas organizimit të punës.
Kokrra e djalit!
8.
“Jemi si familje. Pjesën më të madhe të jetës, qe tetë vite, e kalojmë së bashku. E konsideroj veten të njejtë si të gjithë punëtorët tjerë, edhe pse jam udhëheqës i këtij vendi” – po më thotë Haxhiu me një qetësi të madhe, karakteristikë e tij.
“E kam dhënë maksimumin në punë, krejt jetën. Deri tash, askush nuk ka ardh me u përshëndet me mua prej zyrtarëve të kompanisë: as drejtori i shitjes, as drejtori i përgjithshëm e as pronari” – më tha minutat e fundit të punës. Dikund rreth orës 23.00. “Ndoshta më thërrasin nesër. Po kanë edhe ata shumë punë” – i arsyetonte shefat.
“Ty nuk ta harroj që më nderove dhe erdhe me u taku”.
9.
Sonte e kishte natën e fundit në punë.
Pas tetë vitesh kontakti thuaja të përditshëm në shitorën e lagjes, jemi bërë shokë.
Për të, kam krijuar simpati posa e kam takuar në fillim: përkundër faktit që është shef, është anagazhuar për zgjidhjen e çdo problemi të konsumatorëve. Madje, shpesh ka insistuar që mallin e blerë, t’ia bartë në veturë blerësit.
10.
“Jooo, mos u mundo! I bajë vet qeset ne ushqim!” – ishte refreni i shpeshtë i imi.
“Ani qe pra po të ndihmoj, ty ta bajtë vetëm gjysën e qeseve: gjysën ti e gjysën une. Edhe rrugës bisedojmë. Kam qejf me folë me ty” – fliste me buzëqeshje në fytyrë.
11.
Burrat e gratë më të mirë, po i humbim.
Nuk është frazë boshe. Vërtetë po hetohet largimi i rinisë prej Kosovës.
Kush ka faj? Të gjithë ngapak.
12.
Haxhisë i dëshiroj fat në jetë. Po shkon hapave të babait dhe shumë kosovarëve të tjerë.
Fat apo fatkeqësi?
Nuk e di!
Sidoqoftë, po mërzitem se e kemi humbë një burrë të mirë e punëtor të jashtëzakonshëm.
Kush po fiton? Kompania gjermane.
Të lumtë ata, çfarë kuadri të mirë e kanë punësu!