Sporti

Burim Shala: Promovimi në Superligë ishte arritja më e madhe e këtij viti për mua, është e vërtetë që ka pasur probleme financiare në muajt e fundit

12/31/2023 17:44
nga:E K

Trajneri kosovar, Burim Shala për GazetaBlic Sport komentoi ecurinë e klubit të Fushë Kosovës në Superligën e Kosovës.

Shala beson se Fushë Kosova në shumë momente ishte e pafat duke lëshuar pikë që sipas tij lehtë mund të fitoheshin.

“Pritshmëritë e tona për sezonin e mbetur janë që të bëhet një organizim më i mirë brenda klubit. Presim të sillen përforcime të nevojshme dhe të luftojmë deri në fund derisa të kemi gjasa matematikore të mbetemi në Superligë.

Priten largime dhe transferime në klubin tonë, jam i interesuar të shoh nëse ka një organizim më të mirëfilltë dhe më stabile dhe të kemi stabilitet financiar. Nëse shihen të gjitha ndeshjet pozita jonë në tabelë nuk pasqyron gjendjen reale të lojës që kemi bërë, shumë herë kemi qenë të pafat. Kemi pasur lëshime të pikëve edhe nga mungesa e eksperiencës individuale të lojtarëve, kemi lëshuar shumë shanse të pastërta për gol, kemi pranuar gola shumë lehtë që mund të evitoheshin me përkujdesje dhe përqëndrim më të madh”, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.

Tutje ai pranon se skuadra ka pasur probleme financiare në muajt e fundit dhe pret që këto të kalohen shpejtë.

“Është e vërtetë që ka pasur probleme financiare në muajt e fundit, shpresoj që borxhet të kryhen shpejtë dhe nga janari të nisim pa probleme të tilla”, shtoi Shala.

Shala tregon se promovimi në Superligë ishte arritja më e madhe në vitin 2023 për të si trajner.

“Hyrja në Superligë ka qenë arritja më e madhe për mua si trajner në këtë vit dhe jam krenar që e arrita këtë gjë me Fushë Kosovën.Nuk e di nëse do jem trajner edhe për pjesën e mbetur, krejt kjo varet nga bordi nëse arrihet një stabilitet dhe sigurohen disa përforcime”, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.