Ish-anesteziologu francez, Frédéric Pechier, është dënuar me burgim të përjetshëm për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, nga të cilët 12 kanë humbur jetën.
Vendimi është marrë nga një gjykatë në qytetin Besançon, në lindje të Francës, e cila e ka shpallur Pechier fajtor për kontaminimin e qeseve të infuzionit me substanca që shkaktonin arrest kardiak ose hemorragji.
Viktima më e re e tij ishte një fëmijë katërvjeçar, i cili i mbijetoi dy arresteve kardiake gjatë një operacioni rutinë të bajameve në vitin 2016, ndërsa viktima më e moshuar ishte 89 vjeç.
Gjatë seancave gjyqësore, prokurorët kanë qenë të ashpër në fjalën e tyre. “Ju jeni Doktor Vdekja, një helmues, një vrasës. Ju u sillni turp të gjithë mjekëve”, kanë deklaruar ata javën e kaluar, duke shtuar se “e keni shndërruar këtë klinikë në një varrezë”.
Hetimet ndaj Pechier kishin nisur tetë vjet më parë, pas dyshimeve për helmimin e pacientëve në dy klinika në Besançon, në periudhën mes viteve 2008 dhe 2017.
Pechier, i cili i kaloi 15 javët e gjyqit në liri nën mbikëqyrje gjyqësore, do të duhet të vuajë të paktën 22 vjet burg. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.
“E kam thënë edhe më parë dhe do ta them përsëri: Unë nuk jam helmues… Gjithmonë e kam mbajtur betimin e Hipokratit”, ka deklaruar ai.
Sipas vendimit, Pechier ka 10 ditë afat për të paraqitur ankesë, çka do të nënkuptonte zhvillimin e një procesi të dytë gjyqësor brenda një viti.


