Lajme

Bunjaku: Ligji i Pagave do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese- Qeveria e interesuar vetëm për pushtet

12/04/2022 09:36
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku thotë se inflacioni në Kosovë është më i larti në rajon mbi 30%.

Deputetja Bunjaku potencoi se qytetarëve u është bërë jeta e papërballueshme. Andaj sipas saj, edhe nëse Ligji i pagave shkon në Kuvend do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese për shumë ankesa rreth koeficienteve.

Ajo shtoi se edhe përkundër shumë propozimeve të opozitës siç ishte heqja e TVSh-së dhe akcizës, Qeveria është e interesuar për pushtet e jo qytetarë të vendit.

“Na qysh në fillim kemi reaguar si LDK. Dhe poashtu e kam diskutuar në Parlament që rritja e çmimeve për qytetaret, inflacioni kaq i lartë mbi 30% në Kosovë krahasuar me shtetet fqinjë është jashtëzakonisht i lartë. Qytetarëve iu është bërë jeta e papërballueshme edhe pse po flitet që ligji i pagave do të vije në Kuvend unë jam i bindur që do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese sepse ka shumë ankesa rreth koeficienteve të Ligjit te pagave”, thotë Bunjaku.

“Pritet të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe mungesë të energjisë. Qeveria po vet lavdërohet se kemi rritje ekonomike ndërsa mjetet që po i mban në thesarin e vet po e humbin vlerën ndërsa qytetarët po pësojnë dhe nuk po mund t’i përballojnë rritjet e çmimeve. Ne kemi dhënë propozime për heqjen e TVSh dhe akcizës mirëpo nuk kanë shkuar në veshin e Qeverisë, sepse Qeveria është e interesuar për pushtet e jo qytetarë të vendit”, tha Bunjaku./EO/