Lajme

Bumçi nga PD-ja: Edi Rama po i bën avokatin Vuçiqit

07/23/2022 01:06
nga:Astrit Gashi

Aldo Bumçi, nga Partia Demokratike, ka folur në lidhje me shpalljen non grata të Sali Berishës nga Britania e Madhe.

Bumçi thotë se ky vendim nuk i shërben mirë opozitës në Shqipëri, pasi sipas tij, qeveria aktuale përbën një regjim hibrid, transmeton Klankosova.tv.

“Asnjë vendim nuk i shërben një të mirë publike, goditja e opozitës kur qeveria në bazë të raporteve ndërkombëtare, përbën një regjim hibrid, autoritar, që shkel të drejtat e njeriut, përdor krimin për të blerë vota”, është shprehur Bumçi.

Ai madje thotë se kryeministri Edi Rama, po i bën avokatin presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Atëherë si mundet me këtë rekord të zi, që ka detyruar 500 mijë shqiptarë me ritmin e Sirisë dhe Afganistanit ta lënë Shqipërinë në këto dhjetë vjet. Në një Shqipëri që ka devijuar nga rruga evropiane, në një Shqipëri që e gjen veten krah Vuçiqit dhe jo Kosovës, që i bën avokatin Vuçiqit në Evropë”, theksoi ai.