Lajme

Bujqit në pritje të subvencioneve, Ministria thotë së janë duke bërë verifikimin e mbi 50 mijë aplikacioneve

07/24/2022 21:00
nga:Q R

Ibush Krasniqi nga fshati Bardh i vogël i Fushë Kosovës i ka korrur rreth 40 mijë kilogramë grurë.

Por, për Tëvë1 ai thotë se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit rendimenti ishte më i dobët.

Ai menjëherë ka filluar edhe përgatitjet për të mbjellat e vitit të ardhshëm, por që kultivimi i kulturave bujqësore del të jetë i kushtueshëm.

E për këtë, bujku nga Fushë-Kosova po pret nga Ministria e Bujqësisë që sa më parë të ekzekutojë subvencionet e premtuara.

Parat nga Ministria po i pret edhe Sami Krasniqi nga fshati Bardh i madh i Fushë Kosovës.

Kurse, nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë të ditur se janë duke bërë verifikimin e aplikacioneve.

“Pas pranimit të këtyre lëndëve kanë vazhduar procedurat e brendshme administrative, të cilat janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte, duke filluar nga kontrolla/vlerësimi administrativ i aplikacioneve e më pastaj edhe kontrollat në terren. Pas përfundimit të këtyre hapave, bëhet procedimi për ekzekutimin e pagesave për të gjithë aplikuesit, që i plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar konform Programit dhe Udhëzimit Administrativ”, thuhet në përgjigje.

Në Ministrinë e Bujqësisë janë dorëzuar mbi 50 mijë aplikime për mbështetje financiare.

Sipas kësaj Ministrie këtë vit janë 3 mijë e 149 aplikime më shumë.