Cult

Bujaria e sinqertë dhe inteligjenca e vërtetë i dhanë skofiares Shege Kelmendi  njohje dhe dashuri në komunitetin profesional dhe në rrafshin kombëtar

07/29/2022 11:43
nga:Gazeta Blic

Valdet Hysenaj                        

Kujtesë nga rrugëtimi jetësor i profesoreshës Shege Kelmendi, me rastin e shënimit të Akdemisë Përkujtimore, mbajtur pak ditë pas shuarjes së saj, më 14 korrik 2022, në sallën e KK Pejë, në prani të një numri të madh qytetarësh

Individët e shquar po i lamë në pluhurin e harresës, zhytemi në errësirën e pandergjegjshmërisë, dija është pasuri, qoftë filozofi, filologji, logjikë, psikologji apo vlerë tjetër shoqërore, prandaj me përkushtim sot nga retrospektiva ravijëzojmë copëza jete të profesoreshës zulmadhe Shege Kelmendi.

Më 28 qershor 2022 morëm lajmin për vdekjen e emblemës së arsimit të Rugovës dhe të Pejës, Shege Osmanaj, lajm ky i cili bëri jehonë jo vetëm në Rugovë, Pejë dhe Rrafsh të Dukagjinit, ndërsa reagimet e qytetarëve ishin të shumta. Edhe pse nuk i thanë  lamtumirën e fundit, me fjalë keqardhjeje u shprehën për ikjen e saj.

Jo rastësisht, prehja e saj e përjetshme në Tiranë, tregon mishërimin që ajo e pati për një jetë të tërë me shtetin amë, nënën Shqipëri…

Shuarja e saj përceptohet nga ne si një humbje thellësisht personale, shoqërore dhe kombëtare, humbje e personalitetit me kredibilitet prej intelektualeje kontemplative me autonomi mendimi që prore e thoshte të vërtetën me gjithë rrjedhojat shpaguese të qarqeve të ndryshme.

Në vend të hyrjes

Një figurë e njohur në fushën arsimore dhe shkencore, një njohëse e vërtetë e profesionit të saj, e nderuar në mjedisin shkencor dhe arsimor, kulturor dhe kombëtar,  Shege Kelmendi, e lindur më 12 maj 1943, në fshatin Kuqishtë të Rugovës, në këtë rajon kryengritës brez pas brezi, me burra në zë, lindi në kohë lufte, në kohën kur krismat e lirisë nuk pushonin në Çakor, në familjen atdhetare, intelektuale dhe përparimtare të Bali Idrizit, e rritur dhe e edukuar kombëtarisht, mes tre vëllezërish e tri motrash, Shegeja, gjithë jetën ja kushtoi atdheut, shkencës, kulturës dhe arsimit të brezave të rinj, duke u bërë shembull që duhej ndjekur, duke u shquar në vazhdimësi, në kohë lufte e paqeje, si bartëse e shumë aktiviteteve me peshë kombëtare.

Ajo ishte shembulli më i mirë i besnikërisë dhe sinqeritetit, mike që i respektonte miqtë e saj, intelektuale mendjemprehtë, profesoreshë e talentuar dhe një gjuhëtare e dalluar. Ajo ishte dhe mbetet shembull për shumë edukatorë, të cilët sigurisht do ta ndjekin rrugën e saj të ndritur dhe do të vazhdojnë punën e saj humane dhe edukative. Ndër të tjera, ajo do të mbahet mend si një enciklopedi e gjallë e dijes dhe inteligjencës, ndërkohë që ishte e qetë, modeste dhe e pabindur ndaj ndërskamcave dhe hendeqeve që i përgatiteshin, cilësi këto karakteristike për mendjet e mëdha.

U përkiste njerëzve me mendje të lirë, njerëzve me karakter shembullor, të cilët ushtrojnë vlerat më të larta morale dhe etike në jetën e tyre të përditshme.

E gjithë rruga e jetës së saj është një shembull i denjë i përmbushjes së detyrës qytetare, diktuar nga pasioni i sinqertë për punën e saj dhe kërkimin e palodhur në rrugën e dijes dhe në dritën e lirisë.

Puna dhe përkushtimi

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Filozofik, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, e vazhdoi karrierën e saj të shkëlqyer pedagogjike, me nismë në shkollën tetëklasëshe në Haxhaj të Rugovës, që në vitet e gjashtëdhjeta, ku që në ditën e parë qe një nismëtare e denjë për emancipimin e femrës dhe shkollimin e vajzava rugovase, përgjegjësi të cilën e realizoi me sukeses, duke i sjellë në shkollë vajzat nga secila familje, madje edhe nga ato patriarkale, e për të vazhduar më pas në gjimnazin “11 Maji” në Pejë, me një karizmë unike dhe një reputacion të madh, jo vetëm në Pejë.

Ishte një anëtare e rëndësishme dhe me ndikim prestigjioz nga e cila buronin si rrjedhë lumi ide të ndryshme përparimtare të kohës, që në essence, në çdo situatë e rrethanë tregohej e matur dhe e  guximshme, duke i respektuar të gjithë intelektualët përparimtarë të kohës, me theks të veçantë respektonte të gjithë të burgosurit politikë, pjesë e të cilëve ishte edhe vet.

Dëshmi kohërash

E arrestuan serbët dhe shqiptarët proserbë, UDB-a, e OZN-a, dreqi dhe i biri, në lokalet e Gjimnazit, para nxënësve, më 23 tetor 1984, për ta dënuar e linçuar, për ta përjashtuar nga puna dhe për ta diferencuar, por ajo nuk mposhtej e as nuk ligështohej, sepse bjeshka nuk rrëzohet, e ajo ishte vet bjeshka,  sepse ajo ishte gjithmonë në krah të ndershmërisë dhe dashurisë për njeriun dhe atdheun dhe se liria nuk do të vonohet, ishte refreni i saj.

Që në fillimet e ngritjes së saj intelektuale u bë shembull që duhej ndjekur, e dalluar për kreativitet, interaktivitet dhe dinamizëm që i dhanë karakteristikat e një mësimdhënëseje të karrierës, gjithherë me pikëpamje për ndryshime.

Nxënësit e saj kurdoherë dëshironin që të ishin të pranishëm në orët e saja, sepse përpos dhënies së njohurive nga gjuha dhe letërsia shqipe, Shegeja, pa hezituar,  kurdoherë i jepte përparësi çështjes kombëtare, lirisë dhe pavarësisë, duke u dhënë ide përparimtare shumëdimensionale, në hap me kohën, ide këto me të cilat mishëroheshin nxënësit, për çka u bë shembull i vërtetë i një profesoreshe të dalluar nga të tjerët.

E vlerësuar dhe e dashur për nxënësit, e gatshme t’i dëgjonte gjithmonë, shumë shpejt u bë e preferuara e tyre,  madje edhe prindërit e nxënësve shpesh flisnin për profesoreshën mbresëlënëse, e gatshme që gjithherë  të bisedonte dhe të gjente problemzgjidhjet.

Në kohë të vështira, qe nënë dhe shtëpiake e shkëlqyer, prore me qëndrime pozitive ndaj aktiviteteve me peshë kombëtare dhe me  qëndrim kritik ndaj pjesës së pandërgjegjshme të shoqërisë, siç shprehej ajo, prandaj me integritetin e jetës, punës dhe ekzistencës së saj, me ndershmëri e shënoi kohën në të cilën jetoi.

Me respektin më të madh, sot  shprehim mirënjohjen e madhe për gjithçka që ajo i dha qytetit tonë dhe shumë brezave gjatë gjithë jetës së saj, sepse ajo që na dha dhe na la është e pamatshme dhe e paçmueshme dhe se pa mëdyshje ishte një nga më të mirat e plejadës së të famshëmve.

Sot evokojmë me respekt për profesionalizmin e saj të lartë, pozicionin aktiv në shoqëri, shkencë, arsim  dhe kulturë.

Sipas unit dhe karakterit, sipas pozitës qytetare dhe stilit të saj profesional, konstatojmë se ajo ka qenë gjithmonë një mbrojtëse e vendosur e interesave kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kujtimi i ndritshëm për profesoreshën do të ruhet nga shumë nxënës, kolegë, studiues, intektualë, nga të gjithë ata që i përjetuan dhe dëgjuan për veprat e saja, të gjithë ata që e njihnin atë …

Sukseset dhe vlerat

E diplomuara e Fakultetit të Filologjisë  në Universitetit të Prishtinës, profesoreshë Shegeja u bë një studiuese e një game të gjerë problemesh të historisë kombëtare.

Luajti rol të rëndësishëm në formësimin e vetëdijes dhe kulturës kombëtare, duke u bazuar në  pikëpamjet e mendimtarëve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare për bashkimin e trojeve etnike. Ajo ngriti çështjen e origjinës politike dhe shkencore të përpjekjeve të pareshtura të atdhetarëve  për  pavarësi kulturore dhe kombëtare të kosovarëve, e cila  në vazhdimësi po shtypej nga pushteti i atëhershëm, sahanlëpirësit dhe bukëpërmbysësit e kohës.

Sukseset e e shumta të Sheges ishin karakteristikë e shpirtit të saj luftarak, duke rikujtuar veçanërisht se puna  dhe angazhimi shumëvjeçar në Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, bëri që të ishte shkëlqesa dhe bukuria e tij, sepse pikërisht në vitin 1966, në Langolen të Anglisë shkëlqeu tok me Ansamblin, duke zënë vendin e parë dhe duke u bërë kështu ambasadorët e parë të Kosovës së atëhershme në botë.

Ajo ka qenë frymëzuese kryesore e zhvillimeve politike në demostratat e vititi 1968, 1981 dhe në luftën e fundit të UÇK-së, duke qenë njëherësh, herë pas herë, edhe raportuese për medie nga Rugova, gjatë viteve 1998 -1999.

Me origjinë nga Rugova, me traditë të pasur familjare, me punë të shkëlqyer profesionale,  me angazhim dhe përkushtim prej itelektualeje dhe atdhetareje, hapi shtigje të reja dhe rrugë që duhej ndjekur.

Profesoreshë Shegeja bashkëpunoi në mënyrë aktive me intelektualët e Rugovës, Pejës dhe më gjerë, duke udhëhequr dhe duke marrë pjesë në zbatimin e të gjitha projekteve në interes për krijimin e shtetit Kosovë, mes tjerash ishte edhe anëtare e FISH-it të Rugovës dhe bashkëpunëtore e revistës letrate “Gurra”, që për asnjë çast nuk pushoi së kontribuari.

Në punën e saj u përkushtua veçanërisht për probleme të dialektologjisë, onomastikës,  etimologjisë e relikteve gjuhësore të Rugovës, etimologjisë dhe historisë së fjalës, përdorimit të fjalëve rugovase në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe në mbulimin historik, historisë etnike, proceseve etnogjenetike, arkeologjisë etj., duke mos anashkaluar kulturën dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, këngës dhe valles, përmes AFA “Rugova”, si njëra ndër anëtaret më të  hershme të tij.

I takoi epokës së kombëtares, ringjalljes kulturore  dhe pikërisht në këtë rrugë historike, i takoi krijimit të vlerave, prandaj sukseset e saja sot për ne janë një përshkrim të saktë i fakteve, ngase ajo shquhej për kontributin domethënës humanitar në promovimin e vlerave kulturore dhe vlerave të gjuhës amtare, me përkushtim ndaj kauzës kombëtare.

Kujtimi i ndritur për profesoreshën e mrekullueshme dhe emblematike, është një vlerë e vërtetë jo vetëm për qytetin tonë, vlerë e cila do të mbetet përgjithmonë në zemrat e të afërmve, miqve, kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.

U shqua sidomos në fushën e leksikologjisë dhe stilistikës, madje, e ndikuar nga mësuesi i mësuesve shqiptarë, Aleksandër Xhuvani,  ishte nismëtare për  jetësimin dhe aplikimin  e metodologjisë bashkëkohore për mësimin e gjuhës shqipe.

U dallua, madje luajti një rol të madh në popullarizimin e gjuhës shqipe, sepse shtrirja e interesave të saja shkencore, arsimore, kulturore, kombëtare,  ishte jashtëzakonisht e larmishme, me dekada mblodhi dhe voli në terren thesarin popullor, trashëgiminë kulturore të brezave, folklorin, në trevën e Rugovës, ishte burim informacioni për Institutin Albanologjik të Prishtinës, me theks të veçantë bashkëpunëtore e hulumtuesve të mëdhenj të këtij Instituti, prof. dr. Anton Qettës dhe prof. dr. Zymer Nezirit dhe shumë të tjerëve,  ishte po ashtu e shquar në fushën e dialektologjisë, leksikologjisë, stilistikës, sociolinguistikës, etnolinguistikës, historisë së arsimit kombëtar, metodologjisë së gjuhës shqipe etj., etj.

Pak njerëz arrijnë të kryejnë detyra kërkimore, organizative dhe pedagogjike si ajo, detyra të një rëndësie aq të madhe shoqërore, me të vetmin qëllim, integritetin, shtetin, lirinë dhe pavarësinë!

Ajo dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e arsimit filologjik vendas, forca e madhe e brendshme, sharmi, bujaria e sinqertë dhe inteligjenca e vërtetë i dhanë asaj njohje dhe dashuri në komunitetin profesional, kudo që veproi.

Si mësimdhënëse, mes tjerash dha një kontribut të madh në zhvillimin pedagogjik dhe përparimin e gjuhës shqipe, sepse ajo gjithmonë kishte një pozicion aktiv, u dallua për dashurinë për jetën dhe atdheun, gjithmonë optimiste, e sjellshme, e urtë dhe e denjë, person unik, e shumanshme, holistike, e përgjithësuar dhe e talentuar.

Profesoresha nuk u përkul as nuk u dorëzua, edhe kur e prangosën para nxënësve, edhe kur e torturuan, edhe kur e gjykuan, edhe kur e dënuan, qëndroi stoike në burgjet serbe, përkundrazi, ajo si shqiponjë jetoi një jetë të ndritshme dhe dinjitoze, si një intelektuale dhe atdhetare e vërtetë, personalitet me intelekt të shkëlqyer, erudite e madhe, njohëse delikate e fjalës, përmes së cilës u zbulonte jo vetëm nxënësve, bukurinë dhe melodiozitetin e gjuhës sonë amtare, duke e rritur gjithnjë e më shumë krenarinë kombëtare.

Zemërgjerësinë dhe shpirtbardhësinë e saj e përshkruaj me dy fjalë: keqbërësit që e lanë pa ditar, pa nxënës, larg fëmijëve: Veton e Jehonë, larg prindërve: Bali e Shytë, larg vëllezërve: profesorit Bardh, profesorit Idriz dhe Islamit, larg motrave: Mires, profesoreshës Hysnije dhe profesoreshës Gjevahire, e prangosën dhe e vunë prapa grilash, i fali, anipse krenaria e saj prej malsoreje nuk e lejoi që të merrte më ditarin, pa u sqaruar mire gjërat, sepse siç thoshte : … jam lodhur fizikisht dhe psikikisht, prandaj njëherë nuk do të ligjëroj, sepse druhem që mbase nuk do të jem e përgatitur… (zaten, kjo s’ishte arsyeja e vërtetë) por e gjeti veten pranë librave, në bibliotekën e gjimnazit, duke lexuar me pasion dhe duke i ndihmuar e udhëzuar nxënësit drejt hullive të leximit deri në pensionimin e saj.

Ajo nuk është më me ne, por trashëgimia e saj e pasur jetësore na mbeti si një kujtim i mirë për profesoreshën e ndritshme dhe shpirtërisht bujare.

Do të mbetet në kujtesën tonë si një mike e madh e popullit tonë.

Dhe krejt në fund  shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të profesoreshës Shege dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të.