Lajme

Buja kujton heroin Ismet Jashari: Lavdi veprës, luftës dhe jetës së Komandant Kumanovës!

08/25/2025 09:18
nga:Sh R

Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, ka kujtuar komandatin e UÇK-së, Ismet Jashari në 27-vjetorin e rënies së tij, raporton GazetaBlic.

Buja thotë se Ismet Jashari ishtë gjithmonë i gatshëm për sakrficë dhe i përkushtuar pa rezervë ndaj çështjes kombëtare.

“Lavdi veprës, luftës dhe jetës së Komandant Kumanovës!”, ka shkruar Buja.

Ai kujton me emocion betejat heroike të Ismetit dhe të bashkëluftëtarëve të tij në Llapushnik, Carralevë, Qafën e Duhlës dhe Blinajë, ku “lufta u bë histori dhe gjaku u bë flamur.”

Buja gjithashtu thekson momentin e fundit të takimit me Ismetin, kur i dha këmishën ushtarake që ai e donte aq shumë, një simbol i thjeshtë, por i rëndësishëm, i përkushtimit dhe dashurisë për atdheun.

Postimi i plotë:

Ismet Jashari – një ikonë e luftës, e organizimit dhe e disiplinës ushtarake, sot shënon përvjetorin e përjetësisë së tij, njëkohësisht edhe përvjetorin e dëshmorëve të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut.

E kujtoj me krenari kohën kur vepronim së bashku në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) dhe ti vije në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”.

Kujtoj rrugëtimin tonë drejt Kosovës, në marsin e vitit 1998, bashkë me Agim Bajramin, Abenë, Fehmiun dhe Xhevën. Me trup atleti dhe plot energji, ti ishe gjithmonë i gatshëm për sakrificë, i përkushtuar pa rezervë ndaj çështjes kombëtare.

Të kujtoj në betejat heroike të Llapushnikut e Carralevës, Qafës së Duhlës e Blinajës. Të kujtoj në plagët e lirisë, në Kleçkën legjendare, ku lufta u bë histori dhe gjaku u bë flamur.

E kujtoj me emocione të thella takimin tonë të fundit, kur të dhashë këmishën ushtarake që e doje aq shumë. Një moment i thjeshtë, por që sot peshon rëndë në kujtimet dhe krenarine time.

Sot, kujtimet më rëndojnë, por ato janë kujtime të lavdisë.

Ti u përjetësove më 25 gusht 1998 për t’u kthyer në LEGJENDË.

Lavdi veprës, luftës dhe jetës së Komandant Kumanovës!

Lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 të ZO të Pashtrikut!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!