Vullnet Bugaqku nga KDI, ka reaguar për fjalën përfundimtare të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij Prokuroria nuk ka arritur të dëmonstrojë ekzistëncën e elementeve thelbësore të veprave penale të pretenduara, madje as lidhjen kauzale ndërmjet veprimeve apo mosveprimeve konkrete të secilit anëtar të shtabit dhe pasojave të pretenduara.
Ai pret që Gjykata t’i shpall të pafajshëm të akuzuarit.
E plotë:
Nga analiza e fjalëve përfundimtare të Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të viktimave në procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë, rezulton se aktakuza nuk arrin të përmbushë standardin e kërkuar të provueshmërisë përtej dyshimit të arsyeshëm.
Pretendimet e paraqitura nga Prokuroria, mbeten në nivel deklarativ dhe nuk shoqërohen me prova të drejtpërdrejta apo rrethana faktike që do të provonin përgjegjësinë juridiko-penale të ish-krerëve të UÇK-së, qoftë në aspektin e përgjegjësisë individuale, qoftë në kuadër të ndonjë forme të përgjegjësisë kolektive apo të përbashkët.
Prokuroria nuk ka arritur të demonstrojë ekzistencën e elementeve thelbësore të veprave penale të pretenduara, as lidhjen kauzale ndërmjet veprimeve apo mosveprimeve konkrete të secilit anëtar të shtabit dhe pasojave të pretenduara. Madje, shumica e konsiderueshme e provave të tyre mbështeten në supozime, interpretime të tërthorta apo dëshmi indirekte, të cilat nuk përmbushin kriterin e relevancës dhe besueshmërisë për të provuar përgjegjësi penale individuale.
Në këto rrethana, materiali provues i Prokurorisë paraqitet më tepër si narrativë e përgjithshme historike e politike sesa si bazë e qëndrueshme juridike për një vendimmarrje dënimi.
Prandaj, nëse kjo Gjykatë vërtetë mëton të jap drejtësi, nuk do të ketë rrugë tjetër pos që ndaj këtyre personave të jap vendim për pafajësi.


