Lajme

Bugaqku, KDI: Çdo veprim i UD së Presidentes pas 4 tetorit është i kontestueshëm!

09/23/2026 11:26
nga:Y I

4 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Megjithëse afatet kohore po shkojnë drejt fundit ende nuk ka një konkret për President të ri të vendit.

Kujtojmë se javë më parë, Bekim Sejdiu, emri konsensual për President i dakoorduar nga LVV-ja dhe LDK-ja, u tërhoq nga kandidatura.

Si veprohet pas 4 tetorit nëse deri atëherë nuk arrin të zgjedhet Presidenti i ri i vendit?

Vullnet Bugaqku nga KDI  ka sqaruar për “Gazeta Blic” se sipas Kushtetutës së Kosovës posti i UD. së Presidentes nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Mirëpo sipas tij nuk ka një sqarim tutje se çfarë ndodh nëse skadon ky afat.

Por sipas Bugaqkut, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, është sqaruar që vendi përfundon në zgjedhje të parakohshme nëse brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit dështon zgjedhja e Presidentit të ri.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 90 përcakton që: Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.Mirëpo, nuk ofron asnjë sqarim cfarë ndodhë nëse skadon ky afat, dhe nuk ka zgjedhje të presidentit të ri nga Kuvendi. Për më tepër, sic ka interpretuar vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese në vendimin për dekretin e shpërndarjes së Kuvendit nga ana e ish presidentes Osmani, është sqaruar që vendi përfundon në zgjedhje të parakohshme nëse brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit dështon zgjedhja e Presidentit të ri” deklaroi Bygaqku për “Gazeta Blic”.

Ai potencoi se aktualisht nuk ka sqarim kushtetues që nëse shkelet afati i gjashtë mujorit që nga koha kur posti i presidentit po mbahet nga kryetari i Kuvendit se cilat janë pasojat kushtetuese.

Por sipas Bugaqkut çdo veprim i UD së Presidentes pas katër tetorit është i kontestueshëm.

“Pra, aktualisht, nuk kemi sqarim kushtetues që nëse shkelet afati i gjashtë mujorit që nga koha kur posti i presidentit po mbahet nga kryetari i Kuvendit se cilat janë pasojat kushtetuese, por mund të them që cdo veprim i UD presidentes pas kësaj date, mund të jetë i kontestueshëm në aspekt të pajtueshmërisë me kushtetutën e Kosovës nëse e njëjta vepron e sillet si ud presidente edhe më tutje”

“Gjithsesi, besoj që kjo cështje do duhej të përfundonte në Gjykatë Kushtetuese për të shqyrtuar nëse ky post mund të mbahet edhe më tepër se gjashtë muaj nga kryetari/eja e Kuvendit së paku deri në zgjedhjen e presidentit të ri” deklaroi Bugaqku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/