Lajme

Bugajski: Serbia, shtet i varur nga ultranacionalistët dhe mbështetesit e kriminelëve në Kremlin

03/18/2022 01:08
nga:Astrit Gashi

Përderisa Rusia po vazhdon të pësojë disfata në Ukrainë, ajo do të përpiqet të largojë vëmendjen duke krijuar konflikt diku tjetër. Një nga rajonet ku Rusia ka ende aleatë është Ballkani Perëndimor, ka deklaruar Janusz Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown, në intervistën dhënë kanalit televiziv, Al Jazeera, raporton Gazeta Blic.

“Anëtari serb në Presidencën e Bosnjës, Milorad Dodik, varet aq shumë nga paratë ruse, ndikimi korruptiv i oligarkëve të lidhur me Kremlinin, ai duket se u ka premtuar gjithçka atyre dhe e vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë është vendosja e sanksioneve nëse ai vazhdon të bashkëpunojë me luftënxitësit në Moskë, duke u bërë bashkëpunëtor i kriminelëve në Kremlin. Çdo lëvizje e tij duhet të monitorohet mirë. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq po na thotë tani, nëse nuk më përkrahni në zgjedhje, situata do të jetë edhe më e keqe. Për çfarë vendi po flasim, i cili varet kaq shumë nga ultranacionalistët dhe ata që mbështesin kriminelët e luftës në Kremlin. Serbisë i duhet një Maidan i dytë. Nëse partia nuk mund të reformohet, nëse nuk i humb zgjedhjet, zgjedhja e vetme për serbët e zakonshëm dhe normalë që duan siguri është të bëjnë atë që bënë ukrainasit kur përmbysën qeverinë e tyre të korruptuar të lidhur me Moskën,” tha Bugajski.

Ai më tutje shtoi se nuk mendon se mbyllja e hapësirës ajrore mbi Ukrainë do të çonte në Luftën e Tretë Botërore, sepse Rusia nuk ka aleatë, madje as Kinën, por mund të krijojë një konflikt të përgjakshëm mes NATO-s dhe Rusisë.

“Ne duhet t’i furnizojmë ukrainasit me gjithçka që u nevojitet. Forcat ruse nuk janë duke e fituar këtë luftë, ata po bombardojnë ndërtesa civile, po vrasin të pafajshëm, ukrainasit po luftojnë kundër tyre, morali i tyre është i dobët dhe ne duhet të sigurojmë që ukrainasit të çlirojnë territorin e tyre, t’u japim atyre sa më shumë mbështetje, Tha Bugajski.

Sipas tij, nëse rusët do të përdornin armë kimike, automatikisht në konflikt do të përfshihej edhe NATO.

“Nuk mund të paramendon NATO-n duke qëndruar ulur dhe duke vëzhguar, në rast se Rusia do të përdorte armë për shkatërrim masiv. Rusia është një shtet i dështuar, lufta vetëm sa ka përshpejtuar atë që unë e konsideroj si trend të shpërbërjes së Federatës Ruse,” tha Bugajski.