Sporti

Buffon me mesazh emocionues për vdekjen e Manninger

04/16/2026 17:36
nga:Mergim Rreci

Legjenda e futbollit Gianluigi Buffon i ka dhënë një lamtumirë emocionale ish-bashkëlojtarit të tij Alexander Manninger, i cili ka ndërruar jetë tragjikisht në moshën 48-vjeçare.

Sipas raportimeve, ish-portieri i klubeve si Juventus dhe Arsenal humbi jetën në një aksident trafiku në Austri, në një kalim hekurudhor lokal në zonën e Salzburgut, transmeton GazetaBlic Sport.

Buffon, i cili ka luajtur me të te Juventusi, publikoi një mesazh shumë prekës:

“I dashur Alex, çdo fjalë është e tepërt. Çdo lot do të ishte vetëm një tjetër për humbjen e një miku dhe një njeriu që gjithmonë e kam admiruar.”

Ai theksoi se Manninger kishte zgjedhur një jetë ndryshe nga shumica e futbollistëve:

“Ti zgjodhe të mbetesh i pavarur nga varësia e botës së futbollit, duke kërkuar lumturinë në gjëra të thjeshta: një jetë të shëndetshme në natyrë, peshkim, familje.”

Buffon e përshkroi atë si një njeri që nuk ndiqte famën apo paranë, por jetonte sipas bindjeve të tij, larg presionit të botës së sportit profesional.

“Kishe forcën të largoheshe nga gjithçka dhe të na shikoje me atë buzëqeshjen tënde ironike, sikur të thoshe: ‘Ju jeni të gjithë të çmendur, mua nuk do të më keni kurrë.’”

Në fund, ai shprehu ngushëllimet për familjen e tij:

“Jam i sigurt se do të vazhdosh të kujdesesh për fëmijët e tu dhe bashkëshorten nga lart. U prehsh në paqe.”

/GazetaBlic Sport/