Lajme

BSPK e shqetësuar me zhvillimet në MPJD, paralajmëron veprime nëse nuk kthehen diplomatët në punë

09/22/2022 13:05
nga:Arsim Buxhovi

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka përkrahur protestën e sotme të Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), lidhur me zhvillimet e fundit në këtë dikaster.

Përfaqësuesi i BSPK-së, Ali Gashi, në një deklarim për media tha se janë të shokuar për veprimet dhe diskursin e MPJD-së ndaj diplomatëve.

Ai i bëri thirrje kryediplomates, Donika Gërvalla, që t’i kthejnë në punë diplomatët dhe të respektojë ligjin.

“Ne si BSPK kemi qenë të shokuar për veprimet dhe diskursin e ndjekur nga MPJD-ja për diplomatët. Kosova ka investuar shumë në kapacitetet humane në aspektin e diplomacisë dhe të funksionimit sa më të mirë të diplomacisë në shtetet e tjera. Tendenca që të mohohet e drejta dhe të devalvohet një kuadër i tillë për BSPK-në është i padrejt”.

“Ne si BSPK i kërkojmë ministrisë që t’i respektojë këta diplomatë dhe ta respektojë ligjin. I bëjmë apel që ta anulojë atë vendim dhe ta kthejnë z. Malokun në detyrën që ka qenë”, u shpreh Gashi para gazetarëve.

Kësaj thirrje iu bashkua edhe Ali Sefaj nga Këshilli Grevist, i cili tha se kështu po dëmtohet imazhi i Republikës së Kosovës.

Ai paralajmëroi se nëse diplomatët nuk kthehen në punë, do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore, “në mënyrë që ta kthejmë ligjshmërinë”.

“Na vjen keq që krejt këtë investim që e ka bërë Kosova, të trajtohet në këtë format sepse këto janë taksat tona, ky është imazhi i Republikës së Kosovës. Konform legjislacionit në fuqi, kërkojmë që të revokohen vendimet dhe njerëzit të kthehen në pozitat që kanë qenë”.

“Në rast se ndonjëri nuk i kryen detyrat e veta, atëherë legjislacioni në fuqi parasheh edhe mundësi të tjera. Por, t’u ndërpritet marrëdhënia e punës nuk është në përputhje me ligjin”, deklaroi Sefaj.