Gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
Kryeministri Kurti fillimisht shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e madhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabeta II.
Në këtë takim, kryeministri Kurti e uroi ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Cleverly për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përgjegjësitë e reja, raporton Paparaci.
“Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe e ftoi për bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Tutje sipas tyre u tha se ministri i Punëve të Jashtme, James Cleverly shprehu dashamirësinë dhe admirimin britanik për Kosovën, duke çmuar lart të arriturat e shtetit të Kosovës dhe qëndrimin që Kosova po mban nga fillimi ndaj agresionit rus në Ukrainë.
Megjithatë, për dallim nga kryeministria, zyrtari i lartë britanik ka dhënë detaje të tjera nga ky takim me shefin e qeverisë kosovare.
Në një postim në Twitter, Cleverly ka shkruar se me Kurtin ka folur për raportet e Kosovës me Serbinë dhe për nevojën për “kompromis”.
“Sot e takova kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para Samitit të Procesit të Berlinit. Diskutuam raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe për nevojën për kurajo dhe kompromis, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e të dy shteteve”, shkroi ai.


