Lajme

“Brezovica 1”, dënohet me 15 mijë euro i akuzuari që pranoi fajësinë për ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit

02/06/2024 15:26
nga:N K

I akuzuari në rastin “Brezovica 1”, Rijad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Gjykatësi i kësaj çështje Ilir Bytyqi ka njoftuar se i akuzuari me avokatin mbrojtës, Mexhid Syla, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve dhe 10 mijë euro gjobë, i cili dënim me burg me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro transmeton Klan.Kosova.

Gjithashtu sipas këtij aktgjykimit, i akuzuari është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro, të gjitha në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e Gjykatës.

Paraprakisht, seanca për këtë rast është shty në mungesë të mbrojtësit të njërit nga të akuzuarit në këtë rast, andaj kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi mori aktvendim në bazë të të cilit ka veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Rijad Hasani pasi që i njëjti kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërsa për të akuzuarit e tjerë seanca e sotme u shty, raporton Betimi për Drejtësi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Grainca, avokati Arsim Bilalli, kishte njoftuar gjykatën përmes emailit, se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantoj në seancën e sotme, ndërsa i njëjti nuk ka sjellë avokat zëvendësues për këtë seancë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci, ndërsa të akuzuarit Naser Kelmendi dhe Labinot Vitija janë deklaruar të pafajshëm. Në atë seancë kishte munguar i akuzuari Sula, me ç’rast gjykatësi Bytyqi caktoi seancë më 6 shtator 2023 vetëm për të akuzuarin Sula, por ai kishte munguar sërish për shkaqe shëndetësore.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gentjan Sula, për të cilin seanca fillestare u mbajt më 05 shkurt 2024 ku i njejti është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës.

Të akuzuar në këtë aktakuzë të rastit “Brezovica1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj./Blic