Ditët e fundit, Kosova është përfshirë nga një stuhi me erëra të forta dhe reshje të mëdha shiu e breshëri.
Kësaj stuhie nuk i ka shpëtuar as Komuna e Podujevës, e cila ka pësuar dëme në kulturat bujqësore për shkak të reshjeve të breshërit.
Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic, kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Ai tregon se ende nuk dihet totali i dëmeve dhe se për të vlerësuar dëmet po merret një komision i veçantë.
“Dëme ka fatkeqësisht, janë disa dëme që janë shkaktuar në disa vende. Edhe dita e sotme ka qenë problematike me reshje, sidomos në rajonin e Metehisë për shkak të reshjeve të mëdha por edhe në rajonin e Orllatit. Është një komision i veçantë që po merret me dëmet me vlerësimin e tyre, pasi para dy ditëve ka pasur sasi të mëdha të breshërit dhe janë dëmtuar edhe bizneset. Ende nuk është grumbulluar totali i dëmeve por sapo kjo të përfundojë nga komisioni, do të dalim me deklaratë”, thotë kryetari i Podujevës.
Bulliqi shton se ka mundësi që të ketë sërish reshje të mëdha dhe shkarkime elektrike, të cilat sjellin edhe dëme.
“Ka shumë mundësi që të kemi vërshime dhe sipas të gjitha gjasave klima si një komponentë e cila ndryshon çdo 25 vite po ndryshon dhe po kemi edhe shkarkimeve elektrike por edhe reshjeve të mëdha të cilat po sjellin dëme të mëdha”, thekson ai për Gazeta Blic.
Sa i përket kompensimit të mjeteve për dëmet që shkaktohen në kulturat bujqësore, i pari i Podujevës thekson se kjo duhet të bëhet nga niveli qendror, ministria e bujqësisë, pasi komuna i ka mundësitë e kufizuara.
“Komuna i ka reliativisht mundësitë e kufizuara por zakonisht këto dëme kompensohet nga niveli qendror dhe po shpresojmë që të ndihmojë ministria e bujqësisë por edhe ne si institucionale lokale do ta kryejmë punën tonë”, deklaron Shpejtim Bulliqi./Gazeta Blic/


