Një deputet i Kuvendit të Kosovës e ka gjetur fajtorin për fenomenin e braktisjes së shkollave.
Ardian Kastrati, i cili është pjesë e PDK-së për këtë gjendje po e fajëson ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ai për dokumentarin ‘Expose’ të Gazeta Blic, thotë se kjo gjendje është si pasojë e politikave kaotike në arsim, të cilat i ka udhëhequr Nagavci.
“Është shumë shqetësuese sepse kjo është pasojë e politikave kaotike që ka udhëheq Ministria e Arsimit, në krye me Nagavcin, këta shkelës të Kushtetutës, njerëz të cilët i kanë nënçmuar sindikalistët tonë nëpërmes tyre edhe mësimdhënësit dhe shumë e natyrshme, pra rrjedhimisht mësimdhënësit nuk kanë pa kurrfarë shprese për mirë në këtë vend, as për rritjen e pagave as për kushtet e mësimit, dhe krejt ajo që këta e faturojnë 20 vjeçarët për arsimin e demanton rezultati i PISA, i cili nuk është ai që ka qenë përpara por është edhe më i dobët gjatë mandatit të tyre. Unë pres që trendi i rritjes së mësimdhënësve fatkeqësisht të intensifikohet edhe më shumë në muajt në vazhdim, sepse kjo qeveri nuk ka bo kurrfarë diskutimi social me këtë kategori aq të ndjeshme dhe aq të rëndësishme për shoqërinë”, shprehet ai.
Arsye tjetër ai e sheh edhe migrimin.
“Po natyrisht sepse migrimi përmbi 200 mijë veta gjatë këtij mandati qeverisës nuk është i rastësishëm, njerëzit nuk shohin perspektiva të ekonomisë, të gjitha raportet ndërkombëtare, nga banka botërore, nga fondi monetar, nga raporti i komisionit evropian na nxjerrin me statistika të tmerrshme, dhe nuk ka vende të punës dhe kjo është arsyeja se pse ikë qytetari nga ky vend, sepse nuk ka vende të reja të punës dhe me këta ikin edhe fëmijët e tyre dhe natyrisht që kanë me u mbyll edhe shumë shkollë në muajt dhe në vitet në vazhdim”, vlerëson deputeti.
Kastrati shpreson që pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndërrim të qeverisjes në vend.
Ai ka vazhduar me kritika ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se në krye të dikastereve janë ministra të padijshëm dhe mediokër.
“Nuk mund të flas për projeksionet për pas 6 viteve, nëse do të kemi një nomenklaturë çfarë është tash në qeveri, pa disa kalamaj janë në profilet e ministrave që janë të padijshëm të pa aftë dhe mediokër, natyrisht që pas 6 viteve perspektivat kanë me qenë tepër të zymta, pra ne shpresojmë që në krye të qeverisë pas zgjedhjeve të ardhshme të vije një qeveri më kredibile, më e aftë, më e përgjegjshme në mënyrë që krahas mirëqenies sociale për qytetarët paralelisht të punojnë që ta kthejnë Kosovën në kursin e integrimeve euroatlantike”, thekson deputeti Ardian Kastrati./Gazeta Blic/