Lajme

BQK-ja miraton Manualin e Mbikëqyrjes të Bazuar në Rrezik për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit

03/25/2024 15:18
nga:G B

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 mars 2024, ka miratuar Manualin e Mbikëqyrjes të Bazuar në Rrezik për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (PPP/LFT).

Qëllimi i këtij Manuali u tha se është ngritja e kapaciteteve mbikëqyrëse drejt qasjes së bazuar në rrezik e cila mundëson identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit si dhe përshtatjen e strategjisë mbikëqyrëse në përputhje me rrezikun e paraqitur.

“Me hartimin e këtij kuadri të mbikëqyrjes, qasja e bazuar në rrezik integrohet në të gjitha elementet e konceptit të programit të mbikëqyrjes së institucioneve financiare për pajtueshmërinë me parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit njëkohësish na mundëson që të demonstrojmë që mbikëqyrja e pajtueshmërisë me PPP/LFT realizohet duke u mbështetur në praktikat më të mira si dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të FATF (Financial Action Task Force)”.

Ky Manual u bë e ditur se është përgatitur me asistencën teknike nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik (PECK III).