Sot, në praninë e qindra pjesëmarrësve në Suharekë, përkatësisht në “Shtëpinë e Fellbaut” u përurua libri me titull: “Simbol Çlirimtari” kushtuar Heroit të Kombit, Komandant Milazim Kiqina, me autor Beqir Kiqina.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin, kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ish eprorë të brigadës 123, përfaqësues së OVL- UÇK-së, institucione të nivelit qendror dhe lokal.
Autori Beqir Kiqina i ka kushtuar librin axhës së tij, Milazimit, i cili ra heroikisht dëshmor me 27 mars 1999.
Promovimi i librit u bë pikërisht sot në përvjetorin e 24-të të rënies së Milazim Kiqinës dëshmor.
Me këtë libër ai i ka shtuar historisë një dëshmi më shumë për luftën e pashembullt që bënë djemtë e Kosovës për lirinë e saj dhe nuk kursen as jetën, si gjënë më të shtrenjtë që kishin.
Në këtë libër flasin miq e bashkëluftëtarë të Milazim Kiqinës, që luftuan përkrah tij deri në momentet e fundit të jetës së tij, teksa po luftonte me armikun serb.
Libri flet për jetën dhe veprën e tij, dhe vlerësimet që dhanë ushtarakë e komandantë të shumtë të luftës, për vullnetin e atdhedashurinë që e karakterizonte Milazim Kiqinën, djalin trim e sypatrembur të Drenasit.