Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në Venezuelë në orët e hershme të së shtunës, duke e arrestuar më pas udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.
Më poshtë mund t’i lexoni reagimet ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas
“Kam folur me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe me ambasadorin tonë në Karakas. BE-ja po e vëzhgon nga afër situatën në Venezuelë”, shkroi Kallas në X.
“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se Maduros i mungon legjitimiteti dhe blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor. Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”.
Ministria e Jashtme e Spanjës
“Spanja bën thirrje për shtensionim dhe qetësim, si dhe që çdo veprim të ndërmerret gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së”.
“Në këtë drejtim, Spanja është e gatshme të ofrojë shërbimet e saj të mira për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar të krizës së tanishme”.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric
“Si Qeveri e Kilit, ne shprehim shqetësimin tonë dhe i dënojmë veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës së rëndë që po prek vendin”, tha Boric.
“Kili riafirmon angazhimin e tij ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve”.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro
“Qeveria e Republikës së Kolumbisë i sheh me shqetësim të thellë raportimet për shpërthime dhe aktivitet të pazakonta ajror në orët e fundit në Republikën Bolivariane të Venezuelës, si dhe përshkallëzimin e tensioneve në rajon”, shkroi Petro në X.
“Kolumbia riafirmon angazhimin e saj të pakushtëzuar ndaj parimeve të mishëruara në Kartën e OKB-së, në veçanti respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, ndalimin e përdorimit ose kërcënimit me përdorimin e forcës dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Qeveria kolumbiane refuzon çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund ta përkeqësojë situatën ose ta vërë popullsinë civile në rrezik”.
Ministria e Jashtme e Rusisë
“Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, tha ajo.
“Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara. Armiqësia ideologjike ka mbizotëruar mbi pragmatizmin e biznesit dhe gatishmërinë për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri”.
“Në situatën aktuale, është e rëndësishme, para së gjithash, të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të përqendrohemi në gjetjen e një rrugëdaljeje nga situata përmes dialogut”.
“Ne mbështesim deklaratën e autoriteteve venezuelase dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që bëjnë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei
“Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, mbi qeverinë dhe mbi kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut”, tha Khamenei.
“Duke u mbështetur te Zoti i Plotfuqishëm, duke i besuar Zotit dhe me besim në mbështetjen e popullit, me vullnetin e Zotit dhe me hirin hyjnor, ne do ta gjunjëzojmë armikun”.
Kreu i Partisë Reform UK në Britani, Nigel Farage
“Veprimet amerikane në Venezuelë gjatë natës janë jokonvencionale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – por nëse i bëjnë Kinën dhe Rusinë të mendojnë dy herë, mund të jenë diçka e mirë”, tha Farage.
“Shpresoj që populli venezuelas tani të mund të hapë një faqe të re pa Maduron”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prevot
“Siguria e qytetarëve tanë është prioriteti kryesor. Ambasada jonë në Bogota, e cila mbulon Venezuelën, dhe shërbimet tona në Bruksel janë plotësisht të angazhuara. Situata po monitorohet nga afër, në koordinim me partnerët tanë evropianë”./REL/


