Lajme

Bosnja do të lidhet me rrjetin e gazit të Kroacisë

01/17/2025 09:24
nga:Y I

Deputetët e Bosnjë e Hercegovinës më 16 janar votuan që të lidhin rrjetin e gazit të shtetit me atë të Kroacisë, pasi ky shtet ishte nën presion nga Shtetet e Bashkuara që t’i japë fund varësisë energjetike që ka nga Rusia.

Bosnja është krejtësisht e varur nga gazi rus, të cilin e merr përmes gazsjellësit Rrjedha Turke – i vetmi gazsjellës funksional që bart gazin rus për në Evropë – dhe përmes interkoneksionit me Serbinë, në lindje të shtetit.

Ambasada amerikane në Sarajevë mirëpriti vendimin e ligjvënësve në Bosnje.

“Ky është një moment i rëndësishëm për Bosnje e Hercegovinën dhe për SHBA-në. Është një mundësi për të adresuar një shqetësim të sigurisë kombëtare për të dyja vendet: Varësia e Bosnjës nga gazi rus”, tha Ambasada amerikane përmes një njoftimi pak para votimit.

“SHBA-ja nuk dëshiron që asnjë nga miqtë e saj dhe partnerët në Evropë t’i ekspozohen shantazhit të mundshëm rus dhe këtu bën pjesë edhe Bosnjë e Hercegovina”, u shtua në njoftim.

Bosnja, që ka një popullsi prej 3.5 milionë banorësh, kishte konsumuar 225 milionë metra kubik gaz më 2023.

Veç tjerash, projekti do të lidhë sistemit e gazit të Bosnjës me terminalin e gazit të lëngshëm natyror në ishull Krk të Kroacisë.

Projekti po ashtu përfshin ndërtimin e një gazsjellësi prej 180 kilometrash, nga të cilët 160 kilometra do të ishin në Bosnje. Vlera e ndërtimit të këtij tubacioni llogaritet të jetë rreth 200 milionë euro.

Ndërtimi i tij është debatuar për vite të tëra dhe partia kryesore e bosnjako-kroate ka kërkuar që ajo të ndërtohet nga një kompani e re, që do të dominohej nga komuniteti kroat. Por, projekti do të menaxhohet nga një kompani ekzistuese publike.