Lajme

Borrell: E papranueshme kërkesa ruse për ndërprerjen e zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes

12/29/2021 15:43
nga:Gazeta Blic

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për politikën e jashtme, Joseph Borrell, në një intervistë për gazetën “Die Welt”, i ka quajtur kërkesat e Rusisë për garantim të sigurisë dhe ndërprerjen e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s drejt Lindjes si “agjendë të pastër ruse me kushte tërësisht të papranueshme”.

“Kërkesat për garantim të sigurisë dhe ndërprerja e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s drejt Lindjes janë agjendë e pastër ruse me kushte tërësisht të papranueshme, posaçërisht për Ukrainën”, theksoi Borrell.

Ai shtoi se për herë të parë Moska i parashtron kërkesat e tilla me shkrim, diçka që deri tani nuk ka ndodhur, raporton atsh.

“Këtë e bëjnë vetëm fituesit, ata thonë këto janë kushtet e mia”, theksoi ai.

Nga mesi i dhjetorit, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë publikoi drafte të marrëveshjes me ShBA-në dhe marrëveshjes me NATO-n.

Dokumentet tanimë janë dorëzuar në Uashington.

Në një nga klauzolat, Moska propozoi që vendet e NATO-s t’i japin garanci Rusisë, të cilat do të pengojnë zgjerimin e mëtejshëm drejt Lindjes, posaçërisht në territorin ukrainas.