Lajme

Borell nga Shkupi jep lajmin për sanksionet e reja të BE-së kundër Rusisë

03/14/2022 20:16
nga:Astrit Gashi

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, njëkohësisht Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell i cili filloi sot vizitën në shtetet e Ballkanit, nga Shkupi përcolli lajmin se BE-ja po finalizon raundin e ri të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa u shpreh se “Putini po bën agresion barbar kundër popullit të Ukrainës”.

Paketa e katërt e masave shtrënguese, sipas zotit Borrell, do të pengojë qasjen e Rusisë në tregje, anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare financiare dhe në sektorët e çelikut e të energjisë.

Ai bëri të ditur se kompani dhe individë të tjerë, të cilët kanë ndikim në minimin e sovranitetit të Ukrainës, do të përfshihen në listën e sanksioneve.

Borrell shkoi në Shkup për të shprehur mbështetjen evropiane për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Vizita e tij bëhet në një kohë kur e gjithë vëmendja është kthyer tek zhvillimet në Ukrainë, ndërsa në Shkup po shtohet, sipas analistëve skepticizmi ndaj Bashkimit Evropian për shkak të zvarritjes për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Josep Borrell në një konferencë shtypi foli me tone të ashpra lidhur me luftën në Ukrainë.

“Vizita ime bëhet në sfondin e agresionit barbar të Putinit ndaj popullit të Ukrainës”, tha Borell.

Ai përsëriti shprehjen, ‘‘sulm barbar i Putinit”, duke thënë se kjo është luftë e Putinit kundër popullit të Ukrainës, jo vetëm kundër ushtrisë por edhe kundër civilëve.

Ai tha se forcat ruse po vazhdojnë sulmet me raketa dhe artileri duke vënë në shënjestër popullsinë civile, lagjet e qeta, spitalet dhe shkollat.

“Mund të jetohet pa ngrohje por nuk mund të jetohet pa ujë”, u shpreh Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrel teksa tha se mbi 2,400 civilë në Mariupol kanë vdekur që nga 24 shkurti”, shtoi ai.

Ai theksoi shqetësimet për numrin e madh të refugjatëve ukrainas, përkatësisht 2 milionë e gjashtëqind mijë, të cilët janë larguar nga vendi për një afat prej 17 ditësh që kur filloi lufta.

“Kjo është dyndja më e madhe e njerëzve që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, tha Borrel.