Gjatë qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan dje Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell.
Një ditë pas takimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, përmes një postimi në rrjetin social Twitter deklaroi se gjatë takimit me kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla diskutuan për hapat e ardhshëm në dialogun Prishtinë-Beograd.
Borell tha se mezi pret përparim në dialogun mes dy shteteve.
“Ne gjithashtu diskutuam për hapat e ardhshëm në dialogun Beograd-Prishtinë. Mezi presim përparim konkret së shpejti”, shkroi ai.
Tutje Borell tha se gjatë takimit me Kurtin e Gërvallën diskutuan edhe për sfidat gjeopolitike dhe implikimet rajonale në Ballkanin Perëndimor.


