Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, ka folur pas takimit të dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
Borrell ka thënë se takimi nuk ishte fare i lehtë dhe as i rregullt, pasi ka ardhur si rezultat pas tensioneve mes dy vendeve.
“Takimi i sotëm nuk ishte normal, i rregullt. Së bashku me përfaqësuesin Lajçak, kemi thirrur këtë takim sepse po ballafaqohemi me zhvillime kryesisht negative në terren dhe rritje të tensioneve në veri të Kosovës, Ky takim kishte të bënte me përgjegjshmërinë e të dy liderëve në kërkim të zgjidhjes në mirëbesim për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit”, u shpreh Borell.
Borrell konfirmoi se nuk ishte e mundur të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së targave dhe dokumenteve për hyrje-dalje.
Por, Borrell ka thënë se nuk do të dorëzohet dhe se ende ka kohë deri më 1 shtator, kur do të hyjë në fuqi vendimi i Kosovës për reciprocitet për lëshim të dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit serbë.
Ai tha se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim, pasi siç u shpreh se BE-ja “nuk heq dorë” nga insistimi që dy shtetet të arrijnë kompromis.
Borrell tha se takimet e sotme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.


