Inspektorati i Punës ka thënë se vendimi i Bordit të RTK-së për shkarkimin e Ngadhnjim Kastratit, nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të televizionit publik, është në kundërshtim me Ligjin e Punës.
Sipas një raporti zyrtar të Inspektoratit të Punës, të siguruar nga Paparaci, një gjë e tillë është konstatuar sepse Bordi i RTK-së në rastin e konkret nuk ka zhvilluar procedurën për ndërprerjen e kontratës së punës.
Po ashtu, thuhet se në vendimin e Bordit mungon periudha e njoftimit për ndërprerje ashtu sikurse është përcaktuar me ligj.
“Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës, me vendimin e datës 19.01.2021. për shkarkimin nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK- së Z. Ngadhnjim Kastrati, ka vepruar në kundërshtim me Nenin 11, dhe Nenin 71, të Ligjit të Punës Nr-03/L-212 si dhe Nenin 8 të Kontratës së Punës me nr prot. 1727”, vijon raporti zyrtar i IP-së.


Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në një mbledhje të mbajtur më 19 janar, pati shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të televizionit publik, Ngadhnjim Kastratin.
Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Kastrati.
Ai tha se njoftimin për shkarkim e mori nga anëtarët e bordit të RTK-së.
Ngadhnjim Kastrati ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së në prill 2019.
Mandati i Kastratit do të skadonte në prill të këtij viti.


