Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj riemërimit të Rilind Gërvalla në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK1, RTK3 dhe RTK4, duke shprehur zhgënjim për vendimin e marrë nga Bordi i Radio Televizioni i Kosovës.
Sipas AGK-së, Gërvalla nuk garanton pavarësinë dhe paanshmërinë e transmetuesit publik, për shkak të së kaluarës së tij si ish-aktivist dhe financues i Lëvizja Vetëvendosje.
AGK ka akuzuar RTK-në se gjatë mandatit të tij është përdorur për sulme ndaj mediave private dhe për promovim të narrativave në favor të Qeverisë dhe Vetëvendosjes. Organizata gjithashtu ka ngritur shqetësime për largimin e emisioneve dhe gazetarëve nga skema programore, duke vlerësuar se vazhdimi i Gërvallës në këtë pozitë dërgon sinjal negativ për pavarësinë e RTK-së.


