Lajme

Bora vështirëson qarkullimin në rrugën Prizren–Prevallë, banorët kërkojnë ndërhyrje

12/26/2024 09:22
nga:Sh R

Qarkullimi i automjeteve në rrugën Prizren-Prevallë është vështirësuar për shkak të reshjeve të borës.

Banorët dhe afaristët që veprojnë në Prevallë kanë kërkuar nga MMPHI që të ketë më shumë vëmendje për pastrimin e kësaj rruge.

“Si qytetar dhe banor i Prevallës, ju drejtohem me këtë kërkesë për të pasur më shumë vëmendje në pastrimin e rrugës Prizren–Prevallë, e cila gjatë dy viteve të fundit është bërë problematike për shkak të bllokimeve nga bora. Kjo situatë krijon vështirësi të mëdha për banorët dhe vizitorët, duke ndikuar negativisht në lëvizjen dhe jetën e përditshme”, është shprehur afaristi Burim Sallauka.

Ai i ka bërë thirrje, MMPHI-së edhe për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me problemin e parkingjeve në fshatin turistik të Prevallës, që sipas tij vazhdon të jetë një sfidë për banorët dhe vizitorët, sidomos gjatë sezonit dimëror.

MMPHI-ja përmes një komunikate ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve nën mirëmbajtje të rregullt është në nivel të kënaqshëm dhe se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Sipas kësaj ministrie, ekipet dhe operatorët e kontraktuar janë të angazhuar maksimalisht, duke kryer ndërhyrje të rregullta për mirëmbajtjen e sipërfaqes rrugore, shenjave të trafikut dhe infrastrukturës ndihmëse.