Lajme

“Boom investimesh”/ Gërxhaliu për Muratin: Në ekonomi flasin numrat e jo emocionet – era zgjedhje politike

04/02/2024 13:58
nga:G B

Ministri i financave, Hekuran Murati, deklaroi se investimet kapitale në 2023 kanë shënuar rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë.

Ai tha se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale.

Lidhur me këtë, Safet Gërxhaliu, ish kryetar i Odës Ekonomike, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në ekonomi flasin numrat e jo emocionet dhe se ka indikatorë që e matin rëndësinë dhe efektin sa kanë qenë investimet kapitale në Kosovë gjatë vitit 2023.

“Dua të besoj që në ekonomi flasin numrat e jo emocionet, në ekonomi flasin indikatorët matës dhe jo ndjenja dhe përkatësia politike dhe në këtë drejtim janë indikatorët kyç që e matin rëndësinë dhe efektin sa kanë qenë investimet kapitale në Kosovë gjatë vitit 2023, është ambienti biznesor, sektori privat dhe janë qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, lirisht mund të thuhet se në qoftë se hulumtim ndër vite në Kosovë kemi pasur investime të ulëta kapitale në veçanti deri në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit të vitit 2023. Këtë e dëshmon pakënaqësia në nivel komunal, pakënaqësia në sektorin privat sepse ngrirja e investimeve kapitale është një luftë direkte e sektorit privat dhe qytetarëve të Kosovës. Vetë fakti që bëjnë analiza për të kaluarën kur Kosova ka pasur buxhete të përgjysmuara krahasuar me buxhetin e miratuar në Kuvend për vitin 2023, investimet kanë qenë atëherë më të larta se sa që kanë qenë investimet kapitale në vitin 2023”, shprehet ai.

Gërxhaliu thotë se Qeveria dhe të gjithë duhet ta kuptojë se duhet dialog për t’i paraprirë investimeve.

“Në këtë drejtim besoj se duhet ta kuptojë edhe Qeveria edhe çdokush tjetër në Kosovë që dialogu është ai që i paraprinë investimeve dhe projeksioneve për investime kapitale. Në qoftë se në vitin 2023, 2022 e kemi pasur atë arrogancë të pushtetit, atë mungesë të dialogut të ndërsjellë, qoftë të nivelit qendror, mes pozitës dhe opozitës, qoftë mes nivelit qendror dhe atij lokal, qoftë mes partneritetit publiko-privat dhe në veçanti në aspektin social, besoj se këta janë indikatorët kryesorë që dëshmojnë çfarë kanë qenë dështimet dhe stagnimi që ka ndodhur në vitin 2023 në mungesë të investimeve kapitale”, thekson ai për Gazeta Blic.

Sa i përket paralajmërimeve të Muratit për ‘boom’ të investimeve kapitale në këtë vit, eksperti i ekonomisë vlerëson se nëse kjo ndodhë, e tëra është erë e zgjedhjeve politike.

Ai e quan eksperiment të rrezikshëm nga ministri Murati që flet me argumente të ndryshme nga realiteti.

“Është e vërtetë që në fund të vitit 2023 kemi pasur një derdhje të kapitalit në projekte që ndoshta më së paku kanë fizibilitet por kanë qenë vetëm mundësi kinse për të shikuar buxhetin por e tëra kjo e dëshmon faktin tjetër nëse vërtetë mendohet se viti 2024 do të jetë një vit i ‘boom-it’ të investimeve kapitale, atëherë po del në pah ajo që kemi paralajmëruar, që e tëra kjo është një erë e zgjedhjeve politike, komplet buxheti i miratuar ka qenë shumë më tepër në aspektin social dhe politik, se sa zhvillimor dhe të qëndrueshëm drejt ardhmërisë së Kosovës. Prandaj ky është një eksperiment shumë i rrezikshëm por z.Murati mund të flet me argumente të ndryshme por realiteti është ky që është, nuk mund të ketë gjysmë realitet por do të ketë vetëm realitet dhe të vërtetë”, deklaron Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/