Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, tha të hënën se nuk dëshiron të mërzitet me pyetje rreth 600.000 vdekjeve nga Covid-19 në vendin e tij.
Përkrahja e brazilianëve për presidentin kundërthënës ka rënë për shkak të menaxhimit të pandemisë nga qeveria e tij, rritja e inflacionit dhe ekonomia e dobët. Brazili është i dyti në botë për më së shumti viktima të pandemisë, shkruan Reuters.
Bolsonaro për një kohë të gjatë është munduar që ta paraqesë të zvogëluar ndikimin e virusit, duke promovuar ilaçe të padëshmuara dhe duke dalë kundër masave izoluese.
Të hënën, ai ishte i rrethuar nga përkrahësit në një plazh në Guaruja të rajonit Sao Paulo, kur gazetarët e pyetën rreth shifrës së viktimave të koronavirusit.
“Në cilin shtet nuk kanë vdekur njerëz? Më tregoni! Shiko, nuk kam ardhur këtu për t’u mërzitur”, u përgjigj Bolsonaro.
Deri më tani, Brazili zyrtarisht ka regjistruar 601 mijë e 11 të vdekur nga Covid-19 dhe mbi 21.5 milionë të infektuar.